Kthimi i titullit të sezonit 2015/16 ka bërë që Skënderbeu të arkëtojë sërish, sepse merr paratë që i takonin. 100 milionë lek (të vjetra) i shkojnë nga Federata Shqiptare e Futbollit, sipas rregullores për shpërblimet e fituesit të titullit çdo sezon. Kjo shifër ishte bllokuar nga FSHF-ja, por tashmë jo vetëm që duhet të kalojë në arkën e Skënderbeut, por gjithashtu fshihet edhe gjoba prej 20 milionë lekësh që Etika kishte vendosur pas heqjes së titullit. Ndërkaq, Skënderbeu kërkon edhe Kupën e Artë: në bazë të një vendimi të Federatës lëshuar në vitin 2012, klubi që fiton 5 tituj rresht merr edhe një Kupë prej floriri, që ka një vlerë mjaft të madhe. Nëse FSHF nuk e jep, atëherë Skënderbeu do të kërkojë 180 mijë euro, sa është vlera e kupës.
Për sa i përket shpërblimit që jep UEFA për hyrjen në Champions League, ajo histori ka marrë fund, sepse UEFA njohu Partizanin si kampion dhe klubi i kuq ka përfituar financiarisht.
Ringrihet sot trofeu, në Korçë ka sërish festë
Pas vendimit të djeshëm nga CAS-i në lidhje me titullin kampion të sezonit 2015-2016, që i është rikthyer Skënderbeut, sot në Korçë mësohet se do të organizohet një ceremoni e shkurtër për ringritjen e trofeut. Burime pranë klubit korçar bëjnë me dije se ky trofe ka qëndruar në qytetin juglindor dhe nuk i është dorëzuar FSHF-së, pasi nuk ishte marrë vendimi përfundimtar. Me vendimin e djeshëm, klubi “Skënderbeu” ka menduar që sot të zhvillojë sërish një ceremoni. Diçka e pazakontë në fakt, por ja që ndodh. Nga sa bëhet e ditur, pas ndeshjes me Kamzën, futbollistët e Skënderbeut dhe drejtuesit e tij do të zbresin në fushë. Kapiteni Orges Shehi dhe të gjithë futbollistët do të ringrejnë titullin dhe do të përshëndesin tifozët që do të jenë të pranishëm në stadium. Sot do të jetë një tjetër festë titulli, por jo e përmasave të viteve të mëparshme. Skënderbeu e meriton trofeun e fituar në fushë, ndërkohë që ai i radhës po vjen. Titulli i 8-të kampion është shumë afër dhe në Korçë mezi po presin ta sigurojnë matematikisht.