Skënder Gega nderohet dhe flet për rikthim: Dita më e bukur në karrierë ishte fitorja me Tiranën

Skënder Gega është nderuar si trajneri i vitit nga ana e “Rubrikës Sportive” që transmetohet në “RTSH”. I gjithë vlerësimi ka ardhur për Superioren e fituar me Partizanin, ndërsa ka ndarë me publikun edhe momentin më të bukur gjatë kohës që ka drejtuar të kuqtë, por pa harruar edhe atë më të trishtuarin.

“Dita më e gëzuar te Partizani ishte kur kemi fituar në derbi me Tiranën. Pikërisht aty kemi fituar edhe kampionatin e Superiores. Ishte momenti më i gëzueshëm në karrierën time, por jo vetëm për mua, pasi e njëjta ndjenjë ishte edhe për gjithë sportdashësit e tjerë, por edhe ish-futbollistë dhe ish-trajnerë.

Ndërsa sa i përket momentit më të trishtuar, ka qenë kur u eliminuam në Kupë ndaj Luftëtarit. Fatmirësisht këto momente kanë qenë të pakëta, por ndodhin në futboll. Madje aq keq u ndieva aqsa takova edhe presidentin Demi për t’ia shprehur.

Kur do të rikthehem në detyrë? Por kjo është puna e trajnerit, duhet ta gjejmë një vend të ri. Kam qenë në kontakte në Jordani, por nuk u realizua për arsye teknike. Tani pres një projekt që të jem në gjendje të jap 100% tim”, tha Gega. /Sport Ekspres/