Nga Klaudio Ndreca
Ish-kryetari i Prokurorisë Federale të FIGC në Itali, Giuseppe Pecoraro, ka hapur diskutime dhe polemika të reja në Itali sa i përket pastërtisë së kampionatit. Ajo që risillet në vëmendje është viti 2018, atje ku Juventusi fitoi sërish Skudeton, ndërsa kishte konkurrencë të madhe me Napolin e Sarrit.
Ndeshja e fituar që mund të thuhet se vendosi atë titull ishte triumfi në shifrat 3-2 të bardhezinjëve ndaj Interit, ku ka pasur edhe kontestime për padrejtësi në mbarëvajtjen e ndeshjes nga ana e Orsatos. Pjaniç nuk do të ndëshkohej me karton të kuq, shumë më ndryshe për rastin identik të Vecinos.
Në një intervistë për “Il Mattino”, Pecoraro është shprehur: “Nuk mendoj se do të kishim gjetur prova, por unë për qëllim të informacionit kam kërkuar bisedën audio mes VAR dhe gjyqtarit të ndeshjes. Ata më dhanë këtë informacion vetëm në fillim të sezonit tjetër. Pastaj kishte edhe një surprizë. E hapëm skedarin dhe episodi i vetëm që nuk kishte asnjë audio të rregjistruar ishte pikërisht ai me rastin e Pjaniç që nuk u dëbua, ku nuk dëgjuam dot asnjë komunikim mes Orsatos dhe dhomës së VAR”. /Sport Ekspres/