Në Serbi vazhdojnë skandalet e mëdha mbi ndeshjet e dyshuara për trukim. Këtë herë kemi të bëjmë me një shfaqje në “Prva Liga”, e cila vjen si Kategori e Parë, menjëherë pas elitës. Dinamo Vranje do të humbiste në shifrat 2-3 kundër Zemun, por në këtë fitore më shumë meritë sesa kundërshtari kishte portieri i Dinamo Vrajnje, Miroslav Orlic. Ky i fundit ka ofruar një komedi më vete te goli që vulosi fitoren, duke ia bërë si dhuratë rivalit. Fillimisht portieri shtrihet në tokë për të kontrolluar një top që ishte në duart e tij, por më pas ia jep sferën kundërshtarit që të realizojë në portën e zbrazur.
Trajneri i Dinamos Vranje, Dragan Antic, nuk mund të duronte më në përfundimin e takimit: “Roli kryesor u luajt nga portieri Orlic, fajtori kryesor për golin e dytë dhe të tretë. Mund ta kishte kapur topin në golin e tretë, por e ka lëshuar qëllimisht. Ishte e pamundur për të qënë rastësore, qëllimi padyshim që ekziston. E kemi raportuar menjëherë në autoritetet përkatëse që ta hetojnë nëse ka marrë pjesë në vepra të ndyra”, u shpreh trajneri i Dinamos. /Sport Ekspres/