Para një viti një operacion gjigant policor çoi në arrestimin e disa drejtuesve e futbollistëve të Eldenses, klub i kategorisë së tretë, që manipuloi disa ndeshje duke humbur me rezultate deri në 12-0.
Tani plas skandali tjetër: baste të shumta, jo më vetëm për rezultatin final, që është shumë i vështirë për t’u kontrolluar dhe bie më shumë në sy, por edhe për baste të tjera gjatë ndeshjes, si goditjet nga këndi, apo penalltitë (këto baste luhen në Europë, por me shifra të vogla, ndërsa në Azi luhet vetëm për rezultatin final).
Policia spanjolle mori vjet sinjalizimin nga Federbet, kompani me të cilën bashkëpunon prej verës 2017, se baste të shumta në Spanjë e Azi po luheshin për ndeshje të Kategorisë së Tretë spanjolle, por sidomos asaj të katërt.
Dhjetëra mijëra euro baste drejt kompanive aziatike për ndeshje që luheshin sidomos në krahinën e Estremadurës.
Pas 9 muajsh hetimi, Policia ka arrestuar 29 persona, me akuzën e trupimit të ndeshjeve në sezonint 2016-17, por edhe në sezonin aktual.
Epiqendrat e operacioneve ishte në provincat e Mursias, Barcelonës, Badahozit, Albasetes dhe Madridit. Dyshohet se dy ish-futbollistë, një nga Primera dhe një nga Segunda, të cilët kishin lidhje me kompanitë e basteve në Kinë, ku vendosin baste, kishin bindur lojtarë të ndryshëm, të paktën 5 të tillë, që të merrnin pjesë në trukime.
Një nga kokat e rrjetit që trukonte ndeshjet është ish-futbollisti Honan Garsia, i cili ka luajtur edhe në La Liga, me Atletik Bilbaon.
Disa nga lojtarët vinin baste online edhe për ndeshjet ku luanin vetë, ndërsa fitonin deri në 5000 euro në një ditë të vetme, në një kohë që në kategorinë e katërt e poshtë nuk ka paga mbi 300 euro në muaj.
Sipas policisë, edhe Liga spanjolle e futbollit ka qenë pjesë aktive e hetimit, duke bashkëpunuar ngushtë me policinë.
Vjet presidenti i Ligës spanjolle, Havier Tebas, denoncoi publikisht se kishte fundjava kur në një grup të Kategorisë së Katërt, nga 10 ndeshje që luheshin, 7 prej tyre u dihej rezultati pa u luajtur.