Majlindja Kelmendi është krenaria e gjithë shqiptarëve me arritjet e saj në sportin e xhudos dhe natyrisht vëmendja mediatike ndaj saj është maksimale. Edhe në rrjetet sociale ka disa faqe në emër të saj, ndërsa në një prej tyre, që mendohej se ishte e menaxhuar prej njerëz të autorizuar prej saj, shkruante diçka skandaloze: “Keq e më keq. Pas lajmit që mora para disa ditësh që është duke u organizuar një duel me një xhudistë serbe, tani mora një informacion që asesi nuk kapërdihet. Më njoftuan se dueli është kurdisur dhe un duhet të sakrifikoj karrierën time dhe ta lë të më mposhtë xhudistja serbe. Është shumë e qartë tani se kjo po bëhet vetëm që disa zyrtarë tonë t’u hynë në b… ndërkombëtarëve dhe të shpëtojnë nga krimet e bëra. Prandaj, kërkoj nga ju që të më përkrahni duke më kthyer një përgjigje se a duhet të marr pjesë apo jo, dhe unë do të vendos në bazë të komenteve tuaja. Mos harroni që të bëni edhe share. Faleminderit për bashkëpunimin tuaj. E juaja M.K.”
Gjithsesi, ka qenë gjithçka një mashtrim, sepse Kelmendi ka bërë denoncim dhe ka kërkuar nga avokati Arianit Koçi që të ndjekë çështjen. Ky i fundit shkruan: “Sot, persona të pandërgjegjshëm, duke postuar nga një profil i rrejshëm në Facebook, kanë shkruar gjëra te pavërteta në emër të kampiones botërore – Majlinda Kelmendi. Unë jam i autorizuar që të ushtroj kallëzim penal në emër të Majlindes ndaj këtyre personave të cilët i shkaktojnë dëm jo vetëm Majlindës, por edhe trajnerit të saj Driton Toni Kuka, si dhe Federatës së Xhudos të cilët me mund e sakrificë kanë arritur sukseset më të mëdha, në sport dhe jo vetëm, në Kosovën e pasluftës”.