Një skandal i vërtetë ka rrethuar ambientin e Barcelonës. Këta të fundit kanë punësuar një kompani, e quajtur 13 Ventures, që të krijojë opinione përmes rrjeteve sociale. Qellimi i vetëm është pastrami dhe mbrojtja e figurës së presidentit aktual, Bartomeu, ndërsa një efekt të kundërt ka pasur sa i përket lojtarëve të Barcelonës, qofshin këta aktualë apo pjesë e mëparshme e klubit.
Lajmi është zbuluar nga “Que t’hi jugues”, që tregon se kompania në fjalë ka në zotërim qindra llogari në rrjete sociale, ku mbrohet figura e Bartomeut po nga ana tjetër cënohet imazhi i lojtarëve, ndër të cilët përfshihen Pique, Xavi, ish-trajneri Guardiola, Pyol apo edhe Messi. Ky i fundit akuzohet për vonesën në rinovimin e kontratës.
Ndërkohë bëhet e ditur se Barcelona e pranon të ketë punësuar kompaninë në fjalë, në drejtim të cilës ka ofruar një pagesë prej 1 milionë eurosh. Megjithatë drejtuesit e klubit katalanas mohojnë të kenë qenë në dijeni të përmbajtjes së postimeve të ofruara nga këto llogari. Gjithsesi një situatë e tillë pritet të krijojë tensione në ambietin e Barçës, që këto kohë nuk i kanë munguar problemet./Sport Ekspres/