Situata e grupit te Shqipëria U-21/ Kalojmë Turqinë dhe Kosovën, por kualifikimi është “i pamundur”

Shqipëria U-21 zhvilloi një performancë tejet dinjitoze teksa shkatërroi Austrinë me rezultatin 1-5. Me këtë fitore, djemtë e drejtuar nga Alban Bushi ngjiten në vendin e tretë në klasifikim, duke lënë pas Turqinë.

Megjithatë, pavarësisht kësaj fitore, shanset e kualifikimit në Euro U-21 janë shumë të pakëta, pasi Austria ndodhet 4 pikë para Kombëtares sonë me një ndeshje pak. Shqipërisë i kanë mbetur edhe tre takime për të zhvilluar ku mes tyre më e vështira është transferta ndaj Anglisë.

Por fillimisht Shpresat e Bushit do të presin në shtëpi Andorrën për të vazhduar me Kosovën dhe më pas për të mbërritur te “tre luanët”. Edhe nëse merret varianti i 9 pikëve të plota të marra në këto takime, Shqipëria nuk do ta kishte të sigurt mbërritjen në vendin e dytë, pasi gjithçka varet nga Austria.

Por përtej llogarive, kemi mësuar shumë nga kjo ndeshje me Austrinë, pasi u vërejt dëshira e madhe e lojtarëve të Superligës Shqiptare për të treguar veten në fushën e lojës. Në këtë sfidë luajtën 8 futbollistë të Superiores (3 prej tyre e nisën nga stoli, por u aktivizuan gjatë ndeshjes), të cilën treguan një formë të shkëlqyer.

Ernest Muçi e nisi ndeshjen nga pankina, por arriti të shënojë dopietë pas momentit të aktivizmit.  Kjo super paraqitje e lojtarëve të futbollit shqiptar tregon që ndoshta është koha që të mbështetemi më shumë tek lojtarët e kampionatit vendas, pasi këta të rinj e njohin mjaft mirë njëri-tjetrin. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *