“Sinqerisht nuk mundem më, do të çmendemi”! Mancini ngre alarmin: Të marrë fund karantina, mjaft me kaq

Nga Klaudio Ndreca

Koronavirusi po përjetohet në të gjithë botën, ndërsa përveç humbjeve njerëzore dhe infektimeve, në botën mbarë diskutohet edhe për anën psikologjike të njerëzve. Faktikisht në Shqipëri janë shqetësuar fare pak për këtë gjë, për të mos thënë aspak, por në Europë e dinë fare mirë se ditët që po kalojnë do e rëndojnë edhe më shumë gjendjen për shtimin e depresionit.

Nuk është aspak qesharake situata në këtë drejtim dhe pas 60 ditëve karantinë, është vetë trajneri i Italisë, Roberto Mancini që ngre zërin. Në një intervistë për “Gazzetta”, shprehet se kjo çmenduri me karantinën duhet të mbyllet menjëherë, ndryshe do të ketë pasoja të rënda.

“Sinqerisht që tani jam thyer, nuk mund të durohet më. Pas 60 ditësh mendoj se kjo gjendje e karantinës duhet të marrë fund, se ndryshe njeriu çmendet. Tani është bërë vërtet e rëndë. Në mëngjes stërvitem, pasdite jam në tarracë kur moti është i mirë. Kjo është e gjithë dita ime. Mendoj se duhet të marrë fund se gjërat po përmirësohen. Fatkeqësisht do të lëmë pas gjëra të tmerrshme dhe shumë njerëz që kanë humbur të dashurit e tyre”, tha trajneri i Italisë. /Sport Ekspres/