Administratori i Flamurtari flet për takimin e radhës dhe për licencimin. “Borxhi ndaj Likës? Flas kur të më vijë shkresa në klub”
Elton Nika
Flamurtari kërkon Europën dhe në verë do të jetë pjesë e saj. Rreth rrezikut për licencimin e vlonjatëve nga UEFA është administratori Sinan Idrizi ai që pranon se skuadra këtë vit do të përfaqësohet në Europë, por diçka të tillë duhet që ta arrijë mes fillimisht përmes fushës së blertë. Kreu i klubit vlonjat beson se skuadra do ta arrijë diçka të tillë, ndërkohë që flet edhe për ndeshjen e radhës me Kukësin, por edhe për çështjen e ish-portierit të Flamurtarit, Ilion Likës. “Nga ekipi kërkoj që të bëjë më të mirën dhe të japë maksimumin në këto ndeshje të radhës, madje duke filluar nga takimi me Kukësin, ku unë pres fitoren. Kam bindjen se do ta arrijmë këtë gjë. Skuadra ka kaluar një moment të keq dhe për këtë fakt jemi të gjithë të vetëdijshëm. E kam thënë se përtej asaj çfarë kemi marrë nga gjykimet, duhej që edhe skuadra të merrte përgjegjësitë e veta dhe të tregonte vlerat e saj në fushën e lojës. Megjithatë ishte një situatë që shpresoj se tani kaloi. Ndeshja e radhës është mjaft e rëndësishme, luajmë në fushën tonë dhe do të kërkojmë fitoren. Me Kukësin unë kam besimin maksimal se skuadra do të jetë ajo që do të tregojë se momenti i vështirë ka kaluar dhe do të arrijë të bëjë maksimumin, duke marrë edhe fitoren. Besoj shumë tek tre pikët”, tha fillimisht Idrizi, ndërkohë që më tej flet në lidhje me pjesëmarrjen në Kupat e Europës, duke garantuar që licencimi nuk është një temë për t’u diskutuar. “Nuk i vë në diskutim Kupat e Europës. Ekipi do të paraqitet në Europë, pasi të gjithë e presin këtë gjë. Pastaj jo licencimi, apo çfarë thuhet, nuk kanë pse shqetësohen për këtë fakt, apo probleme të tjera. Flamurtari ta arrijë mes fushës Europën, gjë për të cilën unë jam plotësisht i bindur. Të gjithë e presim këtë gjë dhe do të jemi në kupat e Europës. Mos u shqetësoni për këtë fakt. Është normale kjo, sa herë përmendet Flamurtari gjithmonë shikohen gjërat me kujdesin maksimal. Por mos u shqetësoni për këtë fakt.
ILION LIKA
Ish-portieri i Flamurtarit ka paditur klubin në Dhomën Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve dhe në Vlorë duhet të bëjnë gati paratë për ta shlyer Likën, që tani mbron portën e Tiranës. Por në lidhje me fitimin e gjyqit nga ana e portierit, Idrizi deklaroi: “Për çështjen e Likës ende nuk më ka ardhur në klub ndonjë shkresë. Kur të vijë do të prononcohem. Por e kam thënë, ai kërkon lekët për 6 muaj që nuk ka luajtur pasi ka qenë i dënuar. Megjithatë kur të më vijë ndonjë shkresë në klub, atëherë do të prononcohem për këtë fakt”.