“Silvinjo duket i qetë, por e ngre zërin në dhomën e zhveshjes”, përkthyesja e trajnerit zbulon detaje: Mban gjithmonë fjalim për t’i motivuar

Lenida Halilaj ka qenë zëri shqip i Silvinjos përgjatë këtij edicioni në Ligën e Kombeve. Përkthyesja e trajnerit të Kombëtares ka zbuluar për emisionin “Pardon my french” në “Top Albania Radio” detaje nga ajo çfarë nuk shihet në kamera. Lenida Halilaj ka treguar se Silvinjo e humb qetësinë e tij karakteristike në rastet kur rezultati nuk është pozitiv dhe se gjithmonë mban fjalim për të motivuar lojtarët në pushimin mes pjesëve.

“Silvinjo duket i qetë dhe i dashur, por ka momentet e tij. Ka shumë grintë dhe mundohet t’i motivojë lojtarët. Gjithmonë mban një fjalim gjatë 15-minutëshit dhe pas përfundimit të ndeshjes. Në varësi të rezultatit, toni i zërit ndryshon. Pas një fitoreje euforike është një tmerr në dhomat e zhveshjes. Unë nuk futem shumë, se janë dhoma zhveshjeje djemsh, por dëgjohet zhurma jashtë tyre”, ka treguar Lenida Halilaj./Sport Ekspres/