Klaus Gjasula ka dhënë një intervistë për emisionin “Analizë Kuq e Zi“ në “Supersport“, ku tema e diskutimit është rrotulluar rreth Kombëtares. Mesfushori i Darmshtadtit duket optimist me ardhjen e Silvinjos në krye të pankinës, por nga ana tjetër vlerëson maksimalisht Rejën si trajner. Sa i përket një kualifikimi të mundshëm në Euro 2024, Gjasula shprehet se do të ishte një ëndërr e bërë realitet.
Silvinjo:
“Besoj se Silvinjo do i japë një frymëmarrje të re dhe të mirë Kombëtares dhe uroj e shpresoj që ta nisë sa më mirë dhe me këmbë të mbarë”.
Reja tha se e kishte kuptuar që i kishte ardhur fundi?
“Kur e thotë trajneri vetë duhet ta dijë ai vetë, unë kam pasur shumë respekt për të, ishte një trajner shumë i mirë, ndonëse nga rezultatet njerëzit mund të mendojnë ndryshe, por për mua ishte një trajner shumë i mirë. Kur nuk ka rezultate pozitive, normale që do ndërrohet trajneri dhe ky që ka ardhur tani ka shumë eksperiencë, shpresoj që të eci mirë”.
Gjasula dhe Abrashi janë shembull:
“Unë besoj se mentalitet që kemi marrë në Gjermani dhe Zvicër na ka ndihmuar shumë. A do mungojmë ne një ditë kur të jemi larguar se di, por për aq kohë sa do luajmë, unë dhe Abrashi do japim maksimumin”.
Lojtarë të rinj dhe lojtarë të vjetër:
“Nuk e them dot që lojtarët e rinj nuk kuptohen me të vjetrit, por mund të them se futbolli ecën shumë shpejt dhe secili do të arrijë gjithçka shumë shpejt dhe ka raste që rrezikon ekipin për veten dhe në raste të tilla është e vështirë të kesh sukses dhe këtë duhet të kuptojmë ne të gjithë në Kombëtare që ne jemi aty si ekip dhe nuk ka rëndësi kush luan i ri apo i vjetër”.
Europiani me Kombëtaren:
“Do ishte ëndrra ime, një situatë më të bukur për ta mbyllur karrierën si futbollist nuk ka”, ka deklaruar Klaus Gjasula./Halit Delibashi-Sport Ekspres/