“Sikur dikush ta shpjegonte para kamerave si na kërcënoi…”, Demba Ba ngre akuza ndaj Tuchel pas episodit të rracizmit

Java e fundit e Champions League do të shënonte edhe një nga ngjarjet e paprecedenta në historinë e futbollit. Rracizmi i shfaqur nga gjyqtari i katërt në ndeshjen mes PSG-së dhe Istanbul Bashaksehirit ka bërë që lojtarët e të dyja skaudrave të lënë fushën dhe të ndërpresin kështu takimin. Por me sa duket në të njëjtën mendje me futbollistët nuk ka qenë trajneri Tuchel.

Në një intervistë për “TRT World”, Demba Ba, i cili mori vëmendjen e të gjithëve për kurajon që pati për të debatuar me arbitrin rumun, zbulon se kreu i pankinës së PSG-së ka fajësuar lojtarët e Bashaksehirit për ngjarjen e ndodhur. Sulmuesi i klubit turk e quan si të papranueshme sjelljen e Tuchel, ndërsa shton se kërcënoi ekipin turk, megjithëse nuk pranon të zbardhë fjalët e dala nga goja e tij.

“Do të më pëlqente sikur një person në veçanti të vinte përpara kamerave të shpjegonte se si na kërcënoi ne futbollistët e Istanbul Bashaksehirit. Është e papranueshme. Po flas për Tuchel. Ai debatoi me disa nga anëtarët e skuadërs sonë dhe na fajësoi ne për atë që ndodhi. Është problemi i tij dhe jo i joni. Nuk do e them atë që tha ai, por nëse një ditë do e takon përsëri do i them për atë gjë. Gjithsesi, i heq kapelen lojtarëve të PSG-së. Ata mund të kishin qendruar në fushë, por vendosën të dilnin bashkë me ne”, ka deklaruar Demba Ba./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *