Matthijs De Ligt ishte blerja më e bujshme për Juventusin verën e shkuar. Talenti holandez kishte mrekulluar në pak kohë gjithë Europën me Ajaxin e tij, të cilin edhe pse në moshën 19-vjeçare e udhëhiqte me shiritin e kapitenit në krah. Plot 75 milionë euro për një talent që të mbushte me shpresë, por që shpejt do të ngrinte buzëqeshjen e bardhezinjve. Fillimi do të ishte i vështirë teksa shpesh herë do të merrte qendrën e vëmendjes për topat e prekur me dorë në zonën e Juventusit, megjithëse paraqitjet e tij do të vinin në rritje nga ndeshja në ndeshje.
De Ligt ka rrëfyer aventurën e tij me “zonjën e vjetër“, ku tregon se herën e parë që hyri në dhomën e zhveshjes iu duk vetja si një fëmijë në dyqan ëmbëlsirash. Kjo pasi shumë yje gjendeshin në të njëjtën dhomë me të. Gjithashtu nuk i anashkalon edhe ato gabime të tij në zonën e rreptësisë, madje zbulon se ishte si të kishte një magnet në krahun e tij. Por mbrojtësi holandez shprehet se është i vetëdijshëm kur gabon dhe se nuk mërzitet për to, ndërsa shton se edhe mund të bëjë shaka me gabimet që kryen në fushën e lojës.
“Kur hyra për herë të parë në dhomën e zhveshjes për herë të parë isha si një fëmijë në një dyqan ëmbëlsirash. Kur u transferova te Juventusi shkova direkt në Azi dhe nuk isha stërvitur asnjëherë. Dy ditë më vonë luajta kundër Tottenhamit dhe pas 20 minutash nuk mund të merrja dot frymë. Pas dy muajsh ndjeva se mund të isha më tepër vetja ime. E vetmja gjë e vështirë në fillim ishte se kishte shumë sy mbi mua. Në ndeshjen e dytë shënova autogol. Pas kësaj presioni shtohet edhe më shumë, por në stërvitje ndihesha mirë. Në ndeshje kisha ende nevojë për përshtatje. Ishte e vështirë në fillim, por hap pas hapi u përmirësova.
Më kujtohet kur shkoja në dhomat e zhveshjeve dhe njerëzit thonin se ishte e pabesueshme.Ishte si të kisha një magnet në dorë. Situata m e mirë për ta shjeguar fatin tim të keq ishte penalltia që shkaktova kundër Gjermanisë. Topi u përplas, unë ngrita sytë lart dhe papritur e pashë të godiste dorën krahun tim. Kur e di që kam bërë një gabim ose kam prekur topin me dorë, unë nuk jam ai lloj njeri që mërzitet nëse dikush i thotë diçka. Madje më pëlqen të bëj shaka me këtë fakt“, është rrëfyer De Ligt./Halit Delibashi-Sport Ekspres/