Shqipëria ka publikuar sot listën e lojtarëve që do të jenë të gatshëm për sfidën e rëndësishme kundër Polonisë. Fushata kualifikuese për Euro 2024-n nis me një transfertë të vështirë për Silvinjon, për të cilin do të jetë edhe ndeshja debutuese në krye të stolit të kuqezinjve.
Trajneri brazilian ka përzgjedhur vetëm 3 sulmues për duelin ndaj polakëve. Të paktë në numër, por të shumtë në gola. Si rrallë herë më parë, sulmi i Kombëtares shqiptare vjen me një total prej 33 golash të shënuar. Myrto Uzuni udhëheq listën e golashënuesëve në La Liga 2, ku ka tundur rrjetën 19 herë dhe ka dhënë 3 asiste. Në krahun tjetër, Taulant Seferi renditet i treti në listën e golashënuesëve në Ukrainë, me 8 gola që mbajnë autorësinë e tij. Një sezon pozitiv edhe për Sokol Cikalleshin, i cili së fundmi është përshtatur me futbollin arab, në të cilin numëron 6 gola dhe një asist.
Statistika tejet shpresëdhënëse që me siguri kanë sjellë buzëqeshje në fytyrën e Silvinjos. Të tre sulmuesit e Shqipërisë kanë pasur një marrëdhënie të mirë me golin këtë sezon dhe është pikërisht ajo çfarë Kombëtares i duhet në një sfidë të rëndësishme si ajo me Poloninë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/