Tirana do të presë ditën e nesërme në “Air Albania” Skënderbeun për të luajtur ndeshjen e 22 të Superiores. Një ndeshje kjo që më tepër do të ngjasojë me një lojë shahu se sa futbolli. Kjo për vetë mënyrën se si trajnerët përkatës i qasen futbollit. Megjithëse i pëlqen të bëjë një lojë sulmuese, nga periudha kur është ulur në stolin e Skënderbeut Ilir Daja ka ndryshuar strategji me ekipet e mëdha. Ky i fundit preferon të mbrohet mirë në ndeshjet që cilësohen të mëdha, në mënyrë që të dalë me pikë nga fusha.
Një filozofi e tillë loje nuk të lë në baltë dhe këtë e vërteton Tirana e Emanuel Egbosë. Trajneri nigerian është partizan i kësaj mënyre të të luajturit futboll, duke i udhëzuar në çdo ndeshje bardheblutë që të mbrojen mirë për të mos pësuar, goli më pas vjen vetë. Një taktikë kjo që është përkthyer në shumë fitore radhazi për kryeqytetasit. Këtë filozofi nuk ka ndërmend ta braktisë as në ndeshjen e nesërme, kun ë konferencën për shtyp Egbo tregon se ai që bën më pak gabime do të dalë me 3 pikë nga fusha e “Air Albania”.
“Të gjitha ndeshjet janë të nivelit të vështirë, duhet ta vlerësojmë maksimalisht, ashtu si deri tani. Djemtë duhet të japin maksimumin në fushën e lojës. Nuk ka rëndësi se kush është titullar, të gjithë janë pjesë e jona. Nuk ka ekip të parë apo të dytë te Tirana, ne hedhim ata që janë të gatshëm te Tirana. E kemi vlerësuar Skënderbeun, pasi kanë futbollistë që kanë luajtur bashkë me vite të tëra.
Nuk e shoh fare të kaluarën, por vetëm përpara. Të luftojmë për çdo top dhe Zoti atje lartë do të na ndihmojë. Nëse japim 100% në fushë, atëherë marrim maksimumin edhe me Skënderbeun. Dita? Është një lojtar armë plus, por nuk flas për ata që nuk kam, por për ata që janë pjesë e Tiranës. E kemi biseduar edhe me lojtarët që të mbajmë 0-0 mbrapa dhe pastaj do të vijnë rastet tona. Edhe nesër, ai që bën më pak gabime do marrë maksimumin”./Sport Ekspres/