“Si mund t’i shënosh Shqipërisë? Vetëm pasojini Lewandowskit”/ De Biazi “tradhton” kuqezinjtë në Poloni

Nga Klaudio Ndreca

Një dashuri e madhe mes tifozëve shqiptarë dhe De Biazit që po vazhdonte edhe në kohën kur erdhi ndarja, po goditet ndjeshëm në kohët e fundit. Trajneri italian ka treguar sesi motivonte Azerbajxhanin duke i treguar sesi kishte arritur në Europian me një ekip më të dobët si Shqipëria, ndërsa një tjetër koment që nuk mund të pëlqehet nga tifozët kuqezinjë vjen në Poloni.

Pikërisht në vendin që e kanë nënvlerësuar së tepërmi Kombëtaren tonë, pavarësisht nivelit në rritje gjatë viteve të fundit dhe ku kulmuam me kualifikimin në Europian. Kështu De Biazi ka dhënë një intervistë për “Sport.tvp” duke i treguar polakëve Shqipërinë, ndërsa kur pyetet sesi mund t’i shënosh kuqezinjëve, italiani e thjeshton së tepërmi punën: “Vetëm pasojini Lewandowskit”.

“Shqipëria ka ekip të mirë. Shumë nga lojtarët e Shqipërisë luajnë në Itali dhe kanë fituar përvojë të vlefshme ndërkombëtare. Kur isha trajner atje, ishte pak më ndryshe. Unë mendoj se Shqipëria nuk është një rival i lehtë. Sigurisht, Polonia është një ekip më i mirë dhe nuk duhet të ketë probleme ndaj Shqipërisë, por duhet të luash me intensitet dhe përqendrim të lartë.

Lojtari më i rrezikshëm? Sokol Cikalleshi është më kërcënuesi para portës. Në dy ndeshjet e fundit shënoi tre gola dhe është ai që duhet pasur frikë. Por ka shumë lojtarë të tjerë të klasit si Elseid Hysaj nga Napoli.

Stili i lojës? Në kohën time, ne stërviteshim shumë për goditjet standarte sepse nuk kishim një “snajper të vërtetë”, na mungonte dikush si Lewandowski. Por tani është më mirë. Shqipëria luan presion të lartë dhe po mbështetet në kundërsulme efektive.

Si t’i shënojmë Shqipërisë? Vetëm pasojini Leëandoëskit, ai do të kujdeset për gjithë pjesën tjetër”, u shpreh duke qeshur De Biazi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *