Ilir Alliu është i ftuar në studion e emisionit “Ora Sport“ në “Ora News“, ku ka dhënë mendimin e tij në lidhje me cilësinë e kampionatit shqiptar. Golat këtë sezon janë më të shumtë, por ky fakt tregon dobësi sipas Alliut. Ish-futbollisti kritikon mbrojtjen e Partizanit dhe deklaron se një ekip që pretendon për titull kampion nuk mund të pësojë tre gola në një ndeshje.
“Ajo që kemi vënë re gjatë javëve të para është që asnjë ekip i Kategorisë Superiore nuk ka stabilitet. Asnjë ekip nuk të frymëzon. Një javë shkojnë marrin katër gola në një fushë, javën tjetër fitojnë 5-0. Shënohen shumë gola, por nuk është meritë. Nuk është cilësi kampionati. Është dobësi e kampionatit.
Më mirë një ndeshje 5-4 apo 0-0? Mund të jetë 0-0, por mund të jetë edhe ndeshja më e bukur e vitit. Nuk ke kohë fizike të bësh 9 gola. Si mund të marrësh tre gola dhe të pretendosh për titull?! Luan Partizani me Kukësin, pretenduesi për titull me vendin e fundit dhe ti thua: “jam pretendent serioz për titull”, ku ti merr tre gola në një ndeshje?! Kjo do të thotë që s’ke ekuilibër, s’ke stabilitet“, ka thënë Ilirian Alliu./Halit Delibashi-Sport Ekspres/