Apolonia ka nisur projektin për ngritjen në elitën e kampionatit shqiptar. Fierakët momentalisht gjenden në “Kategorinë e Parë”, por klubi nuk e ka në planet e tij që të qendrojë shumë gjatë aty.
Gjithçka ka nisur nga mënyra e stërvitjes së ekipit, ku së fundmi është parë një seancë stërvitore e portierëve të klubit, të cilët shihen duke u stërvitur ashtu sikurse edhe portierët e klubeve më të rëndësishme të Europës. Erjon Meta, përgatitësi i portierëve, shihet në seancën stërvitore duke i trajnuar gardianët fierak me anë të një makinerie gjuajtëse, me këtë të fundit që e dërgon topin me një precision të lartë drejt portës, duke i shtyrë portierët të nxjerrin më të mirën nga vetja.
Në një kohë kur as ekipet e Superiores nuk aplikojnë një trajnim të tillë, kjo risi e Apolonisë flet qartë me seriozitetin që po tregon kjo skuadër për t’u ngritur në nivelet më të larta.
Një tjetër gjë që vlen të përmendet është edhe investimi që fierakët kanë bërë te të rinjtë, duke pasur shumë të tillë në organikën e tyre, aq sa edhe dy prej tyre janë thirrur për të përfaqësuar Kombëtaren U-21. Kanë qenë pikërisht dyshja Sota-Harizaj që kanë marrë një ftesë nga Bushi.
Në kushte të tilla, Apolonia është më gati se kurrë për të provuar shanset e saj për një ngjitje në elitën e futbollit shqiptar./Sport Ekspres/