“Si digat holandeze”, Berat Gjimshiti merr vlerësimet më të larta ndaj Ajaksit në “Champions League”

Nga Klaudio Ndreca

Berat Gjimshiti po vazhdon që të ruajë nivelet më të larta te Atalanta, ku përveç performancave fantastike në Seria A, ka fituar gjithë eksperiencën edhe në “Champions League”. Ashtu si edhe në takimin e parë, mbrojtësi i Shqipërisë është një prej lojtarëve më të vlerësuar, këtë herë në ndeshjen kundër Ajaks.

Media e specializuar për Atalantën, “Bergamonews” e vlerëson me notën 7 që futet tek më të lartat, ndërsa më tepër është vetëm Zapata me 7.5 që ka gjetur dopietën në atë barazim me shifrat 2-2. Përveç perfeksionimit në aspektin e mbrojtjes, Gjimshiti është duke hedhur hapa të mëdha edhe në ndihmën që i jep skuadrës për të rrezikuar portën kundërshtare, për t’u kthyer në një lider prapavije tërësisht modern.

“Një besim i madh i vjen nga zgjedhjet që bën trajneri dhe Gjimshiti ia shpërblen me një performancë që ka kualitet të madh. I shkëlqyer në topin që i jep Ilicic në minutën e 15 dhe deciziv në minutën e 25 me ndërhyrjen e tij. Në krahun e tij është një mur si digat holandeze”, shkruhet në vlerësimin për Gjimshitin. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *