Ka përfunduar me rezultatin 2-1 finalja e Kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Laçit. “Air Albania” pushtohet nga festa kuqeblu pas vërshëllimës së trefishtë të gjyqtarit. Janë dashur 120 minuta lojë për të përcaktuar fituesin e këtij trofeu, i cili në fund përfundon në duart e Vllaznisë.
Laçi kaloi i pari në avantazh, teksa në minutën e 4-t, Guindo shtang Zogoviçin me golin e tij. Megjithatë kuqeblutë nuk u dorëzuan për asnjë moment dhe kërkuan me ngulm golin, i cili erdhi në minutën e 17. Latifi u tregua i jashtëzakonshëm në krahë, nga ku dhuroi një asist perfekt për Hoxhajn. Ndërkohë goli i fitores do të vinte në minutën e 94-t, kur Adili shënoi një gol të çmendur nga distanca.
Një sukses i madh ky për Vllaznië, që me këtë fitore siguron edhe një biletë për në Kupat e Europës, objektiv të cilin nuk e mbërriti dot përmes kampionatit. Pas përfundimit të finales, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli” në “Supersport”.
Josa (Vllaznia): “Në momentin e vërshëllimës, duke qenë se do vazhdoj të jem trajner i Vllaznisë. E rëndësishme është që klubi arriti objektivat. Nuk është i pakët fitimi i Kupës. Edhe më parë jam shkarkuar nga klubi pas gjysmëfinales së parë dhe tani qëlloi që u shkarkova nga detyra në gjysmëfinalen e parë dhe i plotësova objektivat me një ekip tjetër. Zgjidhjet nuk ishin ato që unë kërkoja në raste të veçanta. Duhet kohë që të sistemosh një model loje të tillë. Ia dedikoj fitoren gjithë hallkave që ka klubi. Trajneri më i titulluar? Kam qenë edhe para kësaj Kupe. Shumë njerëz kanë qenë skeptikë. Por kur i plotëson klubi objektivat e veta, i kam plotësuar edhe unë të miat. E kam mendjen tani se çfarë do të bëhet me skuadrën”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/