Kosova do të luajë përballë Qipros dhe Rumanisë në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Rumania është një Kombëtare të cilën Albion Rrahmani e njeh mjaft mirë, duke qenë se aktivizohet në kampionatin rumun. Sulmuesi shqiptar ka komentuar shortin në një intervistë të dhënë për “Radio Dukagjini”-n. Rrahmani ka pohuar se do të pranojë edhe stolin nëse trajneri vendos në mënyrë të atillë. Gjithashtu, ai siguron se nuk do ta braktisë përfaqësuesen e Kosovës edhe nëse nuk aktivizohet, pasi shumë dëshmorë kanë dhënë jetën e tyre për ta pasur një shtet të pavarur.
“Me atë që kam parë unë në grumbullime, mendoj që jemi favoritë të grupit. Duhet ta kalojmë atë grup në mënyrën më të mirë të mundshme. Sa i përket Rumanisë, unë këtu po luaj dhe të gjithë më njohin. Kur zbres në fushë unë e ndjej fanellën e Kombëtares sime, të Kosovës. Do ta vesh me shumë përgjegjësi dhe me shumë barrë.
Unë nuk jam lojtar që kam qejf të rri në bankë. Por nëse trajneri vendos që të mos më fusë në ndeshje, nuk kam çfarë të bëj. Patjetër që nuk do ta lë Kombëtaren tonë, sepse për këtë Kombëtare kanë derdhur gjak shumë e shumë dëshmorë dhe shyqyr që e kemi. Me plot zemër dhe me plot bindje do të jem lojtar i Kosovës dhe do ta përfaqësoj vendin tim”, ka thënë Albion Rrahmani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/