Shkodrani u vu nën urdhrat e trajnerit Prenga, ndërkohë që mesfushori kroat është një nga risitë e kurbinasve
Laçi ka nisur përgatitjet për ndeshjet e kupave te Europës. Ditën e djeshme trajneri Besnik Prenga është prezantuar para lojtarëve dhe ka thënë fjalët e para si trajner. Siç ndodh zakonisht, disiplina dhe përkushtimi në stërvitje janë dy nga elementët që çdo teknik i kërkon dhe kësaj “tradite” nuk i ka shpëtuar as Prenga, i cili vjen në Superiore pas një eksperiencë në Kroaci me Luçkon. Më pas lojtarët kanë ndjekur programin stërvitor, që nuk është se ka qenë i lehtë në aspektin fizik, edhe pse është punuar kryesisht me topin. Nuk ka shumë kohë për të humbur, ndaj lojërat do të jenë pjesë e thuajse çdo seance stërvitore.
MESFUSHORI KROAT
Nikola Eller është lojtari tjetër i afruar te Laçi. Mesfushori 24-vjeçar ishte pjese e Hrvatski Dragovoljac në Kroaci. Trajneri Besnik Prenga e njeh mirë lojtarin, pasi ka pasur mundësinë ta shohë në kampionatin kroat, ku ai është aktivizuar rregullisht. Mesfushori qendror sezon e fundit është aktivizuar në 31 ndeshje me ekipin e tij, ndërkohë që ka arritur të shënojë edhe 5 gola.
SHTUBINA-ESKERDA
Shkodrani, i cili luan në disa pozicione në fushën e blertë, ishte ditën e djeshme në stërvitje me kurbinasit. Sikurse dihet, para pak kohësh ai ka marrë një ofertë nga Trepça ’89, pasi është trajneri Gugash Magani që e do në ekip. Ka pasur një dakordësi edhe me Laçin për të lëvizur, por edhe me klubin nga Mitrovica, por ende nuk ka firmosur, kështu që Shtubina ka dalë në stërvitje me bardhezinjtë, ku edhe e mbylli sezonin. Ai në asnjë moment nuk e ka fshehur faktin që ndihet mirë në Laç, ndaj nëse nuk kalon në Kosovë, pritet të qëndrojë pjesë e kurbinasve. Për momentin asgjë nuk është vendosur përfundimisht. Sa i takon brazilianit Maikon Eskerda, ai është nën kontratë dhe pritet të bashkohet me grupin brenda javës.
LOJTARËT NË PROVË
Nën urdhrat e stafit teknik, veç pjesës më të madhe të lojtarëve që e mbyllën sezonin në Laç, ishin edhe disa elementë të rinj. Dy lojtarë kishin ardhur nga Kosova dhe një nga Greqia. Që të tre do të shihen nga trajneri Prenga, i cili në fund do të vendosë nëse do të qëndrojnë në ekip apo jo. Dje ishte vetëm seanca e parë stërvitore dhe normalisht do të duhet më shumë kohë për t’i parë.