“Shqiptarët e kanë mikëpritjen”! Armand Duka para ndeshjes me Çekinë: Le të fitojë futbolli sot

Shqipëria do të përballet sot kundër Çekisë. Një ndeshje që do të vendos shumë për fatet e grupit. Njëkohësisht e ngarkuar nga ana emocionale duke ditur mënyrën sesi reaguan disa tifozë çekë në ndeshjen e parë, megjithëse atje gjendeshin huliganët serbë të kamufluar si tifozë çekë. Kreu i FSHF, Armand Duka, i ka bërë thirrje tifozëve shqiptarë para k?tij takimi duke kërkuar që të fitojmë në fushë dhe jashtë saj, me qytetari.

“Sonte vazhdojmë rrugëtimin tonë në UEFA Nations League, ndaj Çekisë me të cilën jemi përballur shpesh në dy vitet e fundit dhe kemi përjetuar emocione të shumta.

Të gjithë presim një ndeshje të fortë dhe angazhimin maksimal të të gjithëve në fushën e blertë dhe në shkallët e stadiumit.

Sonte duhet të fitojë futbolli, nga momenti i këndimit të himneve e deri në vërshëllimën e arbitrit për të mbyllur ndeshjen. Le të tregojmë qytetari, maturi dhe atë që shqiptarët e kanë pasur gjithmonë, mikëpritjen”, tha Duka. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/