Izrael – Shqipëri 0-3
(18-25, 16-25, 14-25)
Izraeli: Dudockin, Stein, Jaloba, Lander, Malik, Marmen, Zilberman (L)/Kopilovitsh, Gofer, Ganah Trajner: Xh.Kukarini
Shqipëria: Bici, E.Tuci, Marina, Ar.Prenga, Thaka, Am.Prenga, Sejfullai (L)/Xheka, Rexhepi, Kushi, M.Tuci Trajner: A.Martiri
Gjyqtarë: I.Vanji (Itali), T.Shaino (Izrael)
Shqipëria e volejbollit të femrave tashmë mund të konsiderohet skuadër transfertash. Pasi ka fituar më 20 maj në Tbilisi 3-0 ndaj Gjeorgjisë vendëse, të njëjtën gjë e ka bërë dje në Ranana ndaj Izraelit. Një ndeshje që, edhe për shkak të kundërshtarit, i cili ka pasur dhe dëmtime si Marmen, është kthyer në një seancë stërvitore. Një orë e 9 minuta dhe Shqipëria ka mbaruar punë ndaj Izraelit. E të paktën është kthyer optimizmi pas humbjes 3-0 ndaj Austrisë në sallën olimpike “Feti Borova”. Të paktën është e sigurtë që Gjeogjinë dhe Izraelin, tonat janë kundërshtare që i vënë poshtë. E nëse vijohet kështu, teksa pjesën e parë të ndeshjeve të Ligës së Evropës i kemi përfunduar në vendin e dytë, atëherë pjesëmarrja në finale është një opsion. Nëse ndodh kështu do të jetë dhe një përgatitje më e mirë për Lojërat Mesdhetare. Me dy ndeshje në shtëpi, më 30 maj ndaj Izraelit dhe 6 qershor ndaj Gjeorgjisë, Shqipëria e volejbollit të femrave, pas tre vjetësh pjesëmarrje në Ligën e Evropës, mund të realizojë ëndrrën për të qenë në finale. Por që të jetë një skuadër e fortë, ndërsa deri më tani është skuadër transfertash, duhet që një sukses të tillë ta bëjë dhe më 2 qershor në Vjenë ndaj Austrisë. Megjithatë le të mbetemi tek suksesi i Izraelit
Ndeshja
Në fakt Izraeli ka rezultuar kundërshtari ku Martiri ka pasur mundësi të shohë dhe të lërë të luajnë më shumë dhe Rexhepin e Kushit, apo dhe Xhekën. Me përjashtim të një avantazhi në setin e parë 8-7 për Izraelin, e gjithë pjesa tjetër ka qenë për Shqipërinë. 13-16, 17-21 dhe përfundimi i setit të parë 18-25. I dyti ka qenë i gjithi nën udhëheqjen e Shqipërisë; 3-8, 9-16, 10-21 dhe në fund 16-25. Po kështu i treti; 5-8, 8-16, 8-21 dhe 14-25. Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes Bici me 19 pikë, ndjekur nga Malik me 13 pikë, si dhe Arjola Prenga 11 pikë. Në bllok është dalluar Jaloba dhe Malik të Izraelit me tre mure fituese, pasuar nga Bici dhe Arjola Prenga me dy. Në shërbim me nga dy secila janë Stein dhe Jaloba të Izraelit, si dhe Arjola Prenga dhe Marina të Shqipërisë. Në përgjithësi një ndeshje e mirë e tonave, ndërsa fitorja qetëson të gjitha palët.
Festa e shqiptarëve
Menjëherë pas pikës së fundit, ashtu sikurse kanë bërë dhe në Tbilisi, tek kampi i shqiptareve ka festë. Festë e cila ka nisur me valle shqiptare në mesin e fushës, për të vijuar me foto së të gjithë. Shenja e shqiponjës nuk ka munguar nga Picaku e Kushi, kurse drejtuesit e Federatës Shqiptare të Volejbollit, presidenti Erlind Pëllumbi, zëvendëspresidenti Dashamir Brari, sekretari i përgjithshëm Albens Vokopola dhe kryetari i komisionit të gjyqtarëve dhe vëzhguesve Konalsi Gjokat në shkallët e sallës sportive në Ranana kanë festuar me flamur. Shkurt, festë shqiptare në Izrael, ndërsa tonat e kanë merituar fitoren e dytë të grupit të argjendtë të Ligës së Evropës.
Gjergj Vyshka