Shqipëria njeh vetëm rritje në renditjen e FIFA-s me Silvinjon, ja se ku gjenden tani kuqezinjtë

FIFA ka publikuar renditjen për muajin tetor dhe ngjitja e Kombëtares shqiptare vijon. Kuqezinjtë në dy muajt e fundit kanë përmirësuar gjashtë vende, falë rezultateve të mira të arritura në fushën e blertë gjatë kualifikueseve të “Euro 2024”.

Shqipëria tashmë renditet në vendin e 59-të, tre pozicione më lart se në muajin shtator. Një rritje konstante, që vjen pas fitoreve të arritura kundër Çekisë për kualifikueset e “Gjermani 2024” dhe Bullgarisë në një duel miqësor. Po me tre pozicione Kombëtarja jonë u ngjit edhe në shtator, kur barazoi me Çekinë dhe mundi Poloninë.

Rezultatet gjatë vitit 2023 për Kombëtaren shqiptare kanë qenë pozitive, edhe pse nën drejtimin e trajnerit Sylvio Mendes Campos Junior kualifikueset e “Euro 2024” nisën me një humbje ndaj Polonisë në Varshavë.

Reagimi ishte i menjëhershëm dhe Shqipëria ia ka dalë të fitojë 5 nga 6 ndeshjet e zhvilluara dhe vetëm njëra prej tyre ka qenë miqësore. Shifrat janë të qarta dhe tregojnë rritjen e Kombëtares sonë, që rekordin për pozicionimin në renditjen e FIFA-s e ka në gusht të vitit 2015, kur u rendit në vendin e 22-të pas “Euro 2016” në Francë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *