Rudi Vata ka dhënë një intervistë për “TribalFootball” ku ka folur për dy elemente shumë të rëndësishëm të Shqipërisë, Strakoshën dhe Brojën. Këta lojtarë janë pjesë e Premier League, përkatësisht me Brentfordin dhe Chelsea. Vata shprehet se është fat i madh për Shqipërinë që të ketë në gjirin e tyre këta elementë që janë pjesë e kampionatit më të fortë të botës së futbollit.
“Lojtarët si Broja dhe Strakosha, tani po luajnë në Angli, ku Premier League është kampionati më i mirë në botë, është gjë e mirë për Shqipërinë. Loja atje ka shumë intensitet, agresivitet, shpejtësi, fuqi dhe teknikë dhe sigurisht që kërkesat dhe standardet janë kaq të larta.
Jemi shumë me fat që i kemi, por ndërkohë ata duhet të performojnë dhe të punojnë shumë për të mbajtur një vend në ekip dhe kjo nuk është e lehtë, por ata janë aty dhe punojnë shumë dhe jam i sigurt se mund të kenë një rol të rëndësishëm dhe bëhen anëtarë të rëndësishëm të ekipit të tyre. Unë me të vërtetë i uroj atyre shumë fat”, tha Vata. /Sport Ekspres/