“Shqipëria është mjaft e fortë”, Jaremçuku nuk trembet nga “Air Albania”: Luajmë çdo fundjavë në stadiumet më të mira të Europës

Roman Jaremçuku u paraqit në konferencë për shtyp përkrahë Rebrovit në prag të sfidës me Shqipërinë. Sulmuesi i Ukrainës ka vlerësuar potencialin e kuqezinjve, por ka shtuar se beson te fitorja e Kombëtares së tij. Sa i përket atmosferës në “Air Albania”, Jaremçuku është shprehur se futbollistët ukrainës luajnë në çdo fundjavë në stadiumet më të mira të Europës dhe se nuk do të jetë problem për ta.

“Shqipëria është një ekip mjaft i fortë, ata kanë një sulmues të mirë, një linjë të mirë mbrojtëse, ka disiplinë në mbrojtje. Kemi edhe mjaft futbollistë të kualifikuar që mund të vendosin për fatin e ndeshjes. Ne do të fokusohemi në faktin se na duhet fitorja. Të shpresojmë që të ketë momente goli për t’i realizuar.  Kur vetë Shqipëria e kalon pothuajse të gjithë ndeshjen pranë zonës së vetë të penalltisë, është e vështirë të gjesh mundësi për të shënuar. Jam i sigurt se skuadra jonë ka shumë potencial për të shënuar gola dhe për të marrë rezultate. Sigurisht që ne duam të luajmë futbollin tonë më të mirë, por kjo ndodh.

Sigurisht që ne e ndiejmë presionin, por kjo është pjesë e futbollit. Çdo lojë është intensive, veçanërisht kur luan për klube të mëdha, sa herë që lufton për tre pikë. Futbollistët tanë luajnë në kampionatet më të mira, zhvillojnë ndeshje çdo fundjavë në stadiumet më të mira të Europës. Nuk mendoj se do të jetë problem për ne. Sigurisht që nesër atmosfera në tribuna mund të ketë ndikimin e saj, por shpresoj se do të mbetemi të fokusuar në lojë”, ka thënë Roman Jaremçuku./Sport Ekspres/