Kombëtarja e vajzave nisi pasditen e së mërkurës grumbullimin në kuadër të ndeshjes miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, e planifikuar për t’u zhvilluar pasditen e së premtes, në stadiumin ‘Elbasan Arena’ në ora 16:00.
Vajzat kuqezi, nën drejtimin e trajnerit Armir Grima zhvilluan dje seancën e parë stërvitore në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’. Në prag të kësaj ndeshjeje miqësore, trajneri Grima, në një prononcim për fshf.org ka treguar edhe objektivat që ka skuadra për këtë miqësore të parë të këtij viti kalendarik për Kombëtaren e vajzave.
Trajneri Grima shprehet se miqësorja ndaj Maqedonisë së Veriut vlen për të konsoliduar akoma edhe më shumë grupin e vajzave, që pritet të jetë edhe skuadra përfundimtare që do të përfaqësojë Shqipërinë në eliminatoret e ardhshme.
“Edhe grumbullimi i parë, edhe kjo ndeshje miqësore vlejnë shumë për ne, për të konsoliduar akoma edhe më shumë grupin me vajzat e reja që na janë bashkuar. Na vlejnë shumë këto grumbullime dhe sigurisht që është në sensin pozitiv për të parë gjendjen fizike se si i kemi përballuar këto ditë pas grumbullimit të parë në Ulqin. Kemi grumbulluar vajzat më të mira që kemi, i kemi alternuar me disa vajza të reja që mendojmë t’i bëjmë pjesë të skuadrës dhe besoj se ky është ekipi që do të përballojë eliminatoret e ardhshme që nisin në shtator” – thotë trajneri Grima për fshf.org, ndërsa flet edhe për shortin që do të hidhet më 2 maj, ku Shqipëria do të njohë rivalet e veta për eliminatoret e ardhshme të Europianit.
“Ne jemi mësuar me shorte të vështira, uroj që të kemi pak fat, që të shpresojmë diçka më shumë, përveç qëndrimit në grupin B, aty ku aktualisht jemi në Ligën e Kombeve” – nënvizon trajneri kuqezi.
Ndër të tjera, tekniku shqiptar flet edhe për futbollin e moshave dhe projektin që FSHF ka për vajzat e vogla, ndërsa shpreson që në të ardhmen Kombëtarja do të jetë më e fortë. “Besoj që te futbolli i moshave, planet afatgjata që ka FSHF do të sjellin rendimentin që ne presim, fluksin e vajzave që të merren me futboll. Shpresoj që të kemi sa më shumë vajza pjesë të futbollit, sepse do të kemi Kombëtare edhe më të fortë ën vitet në vazhdim” – thekson trajneri Armir Grima, i cili gjithashtu nënvizon se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të bëjë mirë në eliminatoret e ardhshme.
“Ne mendojmë që kemi mundësi për të përballuar mirë këtë grup që kemi përpara dhe besoj që do të bëjmë paraqitje më të mirë sesa eliminatoret e kaluara”- përfundon trajneri i Shqipërisë se vajzave, Armir Grima.