Babai i Talunatit dhe Granit Xhakës ka qenë i ftuar në “Euro Dueli”, ku ka prekur sërish zgjedhjen e djalit të tij për të përfaqësuar Zvicrën. Ragip Xhaka zbulon se ka pasur kontakte edhe me Shqipëriën, ndërsa me Kosovën nuk mund të bashkohej për shkak se ka marrë pjesë më parë në Europian me helvetët. Më tej rrëfen edhe një ngjarje të veçantë që lidhet me ndeshjen Shqipëri-Serbi, ku Granit Xhaka ka qarë pas festimit me tre gishta të lojtarit serb pasi shënoi golin.
“Kur djemtë filluan të bëhen të gjallë, siç i thonë me atë fjalën popullorë, kam pasur kontakt me Shqipërinë edhe një mospajtim, nuk erdhi deri aty. Sa i përket Kosovës ka qenë e ditur se nëse luajnë këta shqiptarë në Evropian më parë, atëherë ka qenë e pamundur.
E kemi çuar një letër në FIFA drejtpërsëdrejti pa ndihmën e askujt, me anë të avokatit tonë, na është kthyer e mbyllur, tema është e mbyllur shkaku i Kampionatit Evropian. Nuk e ndiej vetën fajtor. Gjithë atë që kemi bërë deri tani, si për Zvicrën si për Kosovën, jam krenarë. Asnjëherë nuk e kemi harruar Kosovën.
Jo se janë vetëm këta dy, por janë të vetmit dy djem shqiptarë, dy vëllezër, që dalin hapur dhe e mbrojnë si Kosovën edhe Shqipërinë. Po ju tregoj një rast. Në lojën me Serbinë dhe Shqipërinë, që luhej në Shqipëri, Graniti filloi të qante përse i ka ngritur tre gishtat njëri lojtar në Tiranë. Nuk e kemi fshehur që jemi shqiptarë, kurrë, asnjëherë. Më vjen keq që ka ndodhur kështu, por ai ka qenë fati si për Zvicrën, si për Kosovën, edhe për Shqipërinë”, ka thënë Ragip Xhaka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/