“Shqipëria dhe Kosova shkojnë në Euro 2024”, Krasniqi: Shqipëria ka bërë hapa gjigand dhe do e ketë kafshatë të lehtë, u çuditëm me pjesën e parë

Kosova e ka nisur mbarë rrugëtimin në Ligën e Kombeve duke fituar 0-2 në transfertën me Qipron. Në këtë ndeshje kishte edhe një fenomen të çuditshëm për ndryshimin rrenjësor mes dy pjesëve të luajtura. 45 minutat e para folën dukshëm për Qipron që e dominoi kundërshtarin, por në të dytën ishte Kosova që e ktheu rivalin si të dorës së dytë.

Ndërkohë në një intervistë për “Sport Magazine” që moderohet nga Drilon Xhepollari dhe transmetohet në “Ora News”, gazetari Milaim Krasniqi ka kërkuar që Shqipëria dhe Kosova të jenë në Europianin e ardhshëm së bashku.

“Kosova e fitoi ndeshjen me Qipron 0-2. Të gjithë jemi çuditur me pjesën e parë. Kishim besim se do të fitonim pasi kemi lojtarë më cilësorë se Qipro, por në pjesën e parë na kanë dominuar. Pastaj në të dytën u kthyem atje ku duhej të ishim dhe mund të fitonim edhe me shifrat 0-5. Trajneri i ri francez Girese? Ka qenë lojtar i madh në kohën e tij.

Madje ka thënë se nëse do të ishte akoma lojtar, do të përshtatej fare lehtë me këtë lojë të Kosovës që është shumë teknike. Kam vetëm një kritikë për të, që duhet ta ngrejë zërin sa më shumë në pankinë. Ne në Ballkan e kërkojmë këtë lloj motivimi nga trajneri.

Kosova do të kërkojë fitoren ndaj Greqisë në ndeshjen e dytë për t’u shkëputur në vendin e parë. Lojtarët tanë po luajnë në ekipet e tyre, kanë më shumë eksperiencë dhe na kanë thënë se nuk kanë për ta lëshuar këtë mundësi, nuk do ta përsërisin gabimin që bënë atëherë me Maqedoninë e Veriut.

Shqipëria? Ka bërë hapa gjigand në të gjitha drejtimet. Për mendimin tim do ta ketë kafshatë të lehtë Ligën e Kombeve, do ta ketë fare të thjeshtë vendin e parë për mendimin tim dhe ka për të ecur shumë larg. Unë uroj që edhe Kosova t’i bashkangjitet dhe t’i shohim të dyja në Europianin e ardhshëm. Nuk do të kishte gjë më të bukur se kjo”, tha Krasniqi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *