Fantastike! Shqipëria e volejbollit të femrave ka përmbysur Austrinë, ndërsa ka fituar në Ens 3-2, ndërsa kështu skuadra e drejtuar nga Altin Martiri ka “salduar” vendin e dytë dhe njëkohësisht daljen në finale të Ligës së Evropës, grupi i argjendtë, që më 16-17 qershor do të zhvillohet në Nykoping të Suedisë. Austria ka fituar dy sete radhazi, 25-21 dhe 25-22. Por tonat nuk dorëzohen. Fitojnë setin e tretë 19-25, teksa kanë kryesuar 5-8, 13-16, 17-21. Po kështu të katërti 16-25, ndërsa janë gjithnjë në udhëheqje të rezultatit; 6-8, 10-16, 13-21. E ndërkohë seti final ka nisur mirë për Austrinë, që ka kryesuar 5-1. Por shpejt përmbysin vajzat tona në 7-10, 9-12 dhe në fund 11-15.
Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes Erblira Bici e Shqipërisë me 32 pikë e ndjekur nga Holzer dhe Kristianska të Austrisë me 18 pikë, si dhe Markoviç e Austrisë me 16 pikë. Në bllok ka dalë fituese Malvina Tuci e Shqipërisë me pesë mure fituese ndjekur nga Marosh e Austrisë me katër dhe Holzer po e Austrisë me tre. Në shërbim Shmid e Austrisë dhe Marina e Shqipërisë me tre. Festë tek kuqezinjtë, kurse ndeshja me Gjeorgjinë do të jetë thjeshtë për të mbyllur kualifikueset e Ligës së Evropës, sepse tashmë finalja është e garantuar.
Austri – Shqipëri 2-3
(25-21, 25-22, 19-25, 16-25, 11-15)
Austria: Holzer, Kristianska, Marosh, Markoviç, Shmid, Nesimoviç, Valner (L), Epure (L)/Duvnjak, Tofël, Bajde, Deisl Trajnere: S.Iliç
Shqipëria: Bici, E.Tuci, Marina, Ar.Prenga, Thaka, Am.Prenga, Sejfullai (L), Shehi (L)/Xheka, Kushi, M.Tuci Trajner: A.Martiri
Gjyqtarë: I.Shimpl (Slloveni), H.Sodja (Austri)