Eduart Rroca padyshim që ka qenë lojtari shqiptar i momentit këtë sezon. Ish-mesfushori i Kukësit po shkëlqen në kampionatin turk, atje ku me golat dhe asistet e tij është kthyer në një nga elementet kyç të skuadrës së Istanbulsporit. Në një intervistë me gazetaren Klevisa Alinani në “Fax Sport”, Rroca flet më tepër rreth objektivave të tij në Turqi si dhe për festën e veçantë në ndeshjen e fundit, ku së bashku me shokët e ekipit “fluturuan” shqiponjën nga duart e tyre. Gjithashtu futbollisti shqiptar shpreh edhe njëherë dëshirën për të qenë pjesë e Kombëtares, ku shpreson që trajneri Edi Reja të jetë duke e vëzhguar.
“Dua të theksoj diçka. Dy lojtarët e tjerë që kanë ardhur te mua për të bërë shqiponjën janë kapiteni dhe mbrojtësi i majtë, ndërsa Valoni dhe Kristali kanë ardhur pak më vonë. Është diçka e bukur dhe e veçantë. Kjo e gjitha filloi nga festimi që bëri kapiteni para 4 ndeshjesh, ku pasi shënoi një gol bëri një dedikim pak a shumë si një shqiponjë. Ishte diçka personale e tij. I thashë që ndeshjen tjetër do ta tregoj si e bëjmë ne shqiptarët festimin.
Që kur kam ardhur në fillim në Turqi dhe në momentin e parë që kam dhënë intervistat e jam prezantuar në klub, synimi im personal ka qenë të arrij në Superligën turke. Objektivat e klubit në fillim ndoshta nuk kanë qenë kaq të larta sa janë momentalisht, sepse objektivi ka qenë që minimalja të ishim në play off. Por duke parë performancat e mira synimet janë rritur dhe tani kërkojmë pse jo të jemi kampion ose të kualifikohemi direkt nga 2 vendet e para.
Kukësi këtë sezon? Kam parë disa ndeshje të Superligës, jo vetëm të Kukësit. Me ta jam ndarë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe duke i lënë në të ardhmen një mundësi tjetër bashkëpunimi. Jam ndarë duke i falenderuar ata dhe ata duke më falenderuar mua për kontributin që kam dhënë.
Shpresoj që të jetë duke parë Reja. Por nuk kam asnjë njoftim deri tani qoftë nga stafi i tij apo Federata. Dëshira ime është që shpresoj të jetë duke më vëzhguar. Nuk do i thoja diçka drejtpërdrejtë, sepse ai dhe stafi i tij janë profesionistë i zgjedhin lojtarët në bazë të nevojave që kanë. Thjesht do i thoja se nëse jam i nevojshëm dhe ai e sheh të arsyeshme se unë mund të bëj punë në planet e tij, atëherë unë jam i gatshëm”, ka thënë Eduart Rroca./Halit Delibashi-Sport Ekspres/