Shqipëria U-21 luajti një miqësore kundër Bosnje-Hercegovinës para pak ditësh, ku u mund 2-0, në një sfidë ku kishte shumë lojtarë të rinj. Edhe pas prezantimit të listës së Bushit pati sërish shumë lëvizje në ekip, aq sa nuk u mor vesh asnjëherë sa lojtarë ishin të grumbulluar.
Tani trajneri Alban Bushi ribën listën, duke larguar disa lojtarë e duke afruar të tjerë, në vigjilje të ndeshjeve miqësore me Bjellorusinë në datat 5 dhe 8 qershor.
Në portë Selmani është bashkuar me kombëtaren A, ndërsa Dramolli është kthyer në shtëpi. Është grumbulluar Kristian Bala nga Delta Rovigo e Serisë D në Itali, ashtu si Mario Dajsinani i Skënderbeut dhe Alesio Abibi i Tiranës. Befasia është se nuk është grumbulluar sërish portieri titullar i Vllaznisë, Alen Sherri, vetëm 20 vjeç, ndërsa Abibi, për shembull, është një vit më i madh.
Në mbrojtje është grumbulluar 21-vjeçari Fabian Mirdita, i cili luan në Kategorinë e Pestë franceze, me La Roche VF.
Në mesfushë bien në sy emra të panjohur si Ronaldo Ndreu, i Ludvigsfelder FC, në futbollin amator gjerman, apo Marko Hoxha i Arzinjanos, në Serinë D.
Çudi është grumbullimi i disa lojtarëve të datëlindjes 1996, përfshirë Erald Çinarin, i cili në kualifikueset e shkuara nuk u përfill fare, ndërsa tani grumbullohet miqësore, në një kohë që praktikisht po i mbaron koha për U-21. Bushi thotë se po kërkon lojtarë për të ardhmen, por ndërkohë merr edhe lojtarë 22-vjeçarë që i njeh mirë, ndërsa skuadra nuk ka një bosht dhe ashtu si bëmë një figurë të shëmtuar ndaj Bosnje-Hercegovinës, mund ta bëjmë edhe në miqësoret e radhës.
BUSHI – Për faqen zyrtare të FSHF, trajneri Alban Bushi deklaron: “Për dy takimet e radhës miqësore kam vendosur që për arsye të ndryshme të thërras e të provoj elementë të tjerë. Kështu që, në ndryshim nga ndeshja me Bosnjen, tek sfidat e radhës kam thërritur për grumbullim lojtarë të tjerë. Kështu, futbollisti Kejdi Bare largohet për 2 ndeshjet miqësore në program dhe në vendin e tij është thërritur Çinari. Bare është dëmtuar dhe për këtë arsye nuk mund të rrinte më. Rëndësia e këtyre ndeshjeve është të shikojmë ndonjë element të vlefshëm për sezonin tjetër. Besoj se aktualisht i fituam dy-tre lojtarë shumë cilësorë. E dinim që këto ndeshje miqësore do të ishin të vështira për ne për sa i përket rezultatit, sepse jemi një ekip pothuajse i ri dhe që po kërkojmë të ngremë një grup për eliminatoret e ardhshme”.
Lista e re: Kastrati, Bala, Dajsinani, Abibi, Tafa, Bushaj, Duka, Mirdita, Cake, Krymi, Toli, Hysenaj, Nuriu, Sahiti, Kolaj, Gjoshi, Çinari, Shabani, Ndreu, Seferi, Hoxha, Deliu, Cela, Lajthia, Spahiu, Morina, Rashiti, Mihani, Shefiti, Bella.
Lista e vjetër: Kastrati, Selmani, Dramolli, Tafa, Bushaj, Cake, Krymi, Hysenaj, Doka, Duka, Ceka, Nuriu, Kallaku, Sahiti, Ethemi, Kolaj, Çupi, Gjoshi, Bare, Ndreu, Selahi, Hebaj, Rashiti.
Të larguar: Selmani, Dramolli, Doka, Ceka, Ethemi, Bare, Ndreu, Selahi, Hebaj.
Të afruar: Bala, Dajsinani, Abibi, Mirdita, Toli, Çinari, Shabani, Seferi, Hoxha, Deliu, Çela, Lajthia, Spahiu, Morina, Mihani, Shefiti, Bella.