Shpresat e Bushit në “Selman Stërmasi”, pse duhet të luhet aty?

Ndeshja e djeshme ndërmjet Partizanit dhe Flamurtarit kishte një anë shumë negative, fushën e stadiumit “Selman Stërmasi”. Tapeti i ndeshjes la shumë për të dëshiruar, pasi ishte i mbushur me baltë. Topi ngecte hera herës dhe ishte mjaft e vështirë që të qarkullohej nga futbollistët.

Të dy trajnerët kishin orientuar futbollistët e tyre që të luanin me topin e gjatë. Lojtarët teknikë vuajtën në këtë sfidë, pasi Asani dhe Bardhi vuajtën goxha me përdorimin e topit, po ashtu dhe Trashi.

Natyrisht, moti i keq nuk mund të kontrollohet ngaq Federata dhe klubet dhe kalendari nuk mund të ndryshohet sipas qejfit (edhe pse ne shpesh e bëjmë), por ajo që bën përshtypje është se në atë moçal do të luhet edhe të premten.

Shqipëria U-21 do të presë Sllovakinë (ora 17.20) dhe pikësëpari duhet sqaruar se “Selman Stërmasi” është përzgjedhur kohë më parë, pasi UEFA kërkon ta ketë emrin e stadiumit zyrtar disa muaj më parë se të luhet.

Megjithatë, në FSHF ndoshta do të bënin mirë të komunikonin me UEFA-n për të bërë të ditur se gjendja në stadiumin e vet në Tiranë është skandaloze dhe nuk mund të luhet futboll normal. Është një nder që u bëhet edhe djemve të Shpresave, sepse Alban Bushi ka një ndër kombëtaret U-21 më teknike që kemi pasur ndonjëherë në dekadat e fundit dhe është mëkat që të luhet në atë fushë.

“Elbasan Arena” është një “dinosaur” në gjendjen aktuale, aty nuk luan Elbasani sepse nuk ka para, luan ndonjëherë kombëtarja e femrave dhe ndonjë ndeshje të rinjsh apo finalja e kupës për femra. Një super stadium, një super fushë, pse të mos e përdorë kombëtarja U-21, aq më shumë që distanca nga Tirana është shumë e vogël?

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *