Shpërthen Vllaznia, Flamurtari tani është në krizë

Ndeshje të tilla, fitore kaq bindëse, mund të jenë një pikë kthese një sezon mjaft të vështirë. Këtë shpreson Vllaznia, që sot ka mundur 3-0 Flamurtarin, duke mbyllur gjithçka në 48 minuta.

Flamurtsri ishte me gjysmë ekipi, pretendoi edhe për një penallti ose dy, por t’i harrojë, boll penallti ka marrë këtë sezon.

Ndërkaq, Vllaznia u tregua perfekte në aspektin sulmues, shënoi thuajse në çdo rast që krijoi, humbi edhe një penallti me Gilman Likën, por do ishte mëkat nëse do e tepronte ndaj një Flamurtari të sakatuar, që në mesfushë nuk kishte asnjë titullar.

Goli i parë i Vllaznisë u shënua nga Vucaj i cili përfitoi edhe nga një gabim i portierit të ri Qirko, ndërsa Sukaj u konfirmua një snajper, i cili po kthehet në nivele fantastike.

Tre pikë të arta, Teuta është 3 pikë pas dhe tashmë në Kamzë synohet hapi gjigant.

Flamurtari? Duhet një pauzë dhe analizë e thellë: mungesat nuk mjaftojnë për të justifikuar gjithçka, ndoshta merkatoja e janarit duhej shfrytëzuar ndryshe, ndoshta duheshin afruar lojtarë me eksperiencë në Superiore, më shumë sesa baste si Tunkara, për shembull, që Duro nuk e njihte fare.

Vllaznia – Flamurtari      3-0

Shënues: Vucaj 13′, Sukaj 37′, 48′

Vllaznia: Sherri, Mersini, Berisha, Orelesi, Gocaj, Tafili, Krymi, Vucaj (Gurishta 85′), Çinari (Kalaja 73′), Lika, Sukaj (Pjeshka 79′)

Flamurtari: Qirko, Musta (Tushi 83′), Pollozhani, Veliu, Siljanovski, Deliaj (Nedeljkoviç 59′), Hyseni, Zuka, Danilo Alvesh, Kamara (Hoxhaj 67′), Bushiç.

Karton i verdhë: Qirko 74′

Gjyqtar: Ardian Beqiri

EPISODET

74′ Franc Veliu rrëshqet dhe humbet topin, Kalaja niset i vetëm drejt zonës dhe Qirko e ndal me faull. Penallti neto, por Gilman Lika gjuan fort dhe godet traversën, me topin që shkon jashtë.

47′ GOL VLLAZNIA Sukaj shënon golin e tretë, të dytin personal. Sulm i bukur i Vllaznisë, Lika nga e djathta kroson bukur dhe në qendër i pambuluar Sukaj me kokë nuk fal.

37′ GOL VLLAZNIA Sukaj ka gjetur golin e dytë për Vllazninë. Sulmuesi futet në zonë dhe godet fort me të majtën, diagonale e pakapshme për Qirkon.

32′ Rrëzohet në zonë sulmuesi i Flamurtarit Kamara, ndoshta me faull, pasi Berisha e mban për fanelle. Rast mjaft i dyshimtë, por arbitri nuk fishkëllen asgjë.

13′ GOL VLLAZNIA Vucaj ka kaluar në avantazh Vllazninë, me një goditje të fuqishme nga një distancë e konsiderueshme. Topi përplaset në tokë dhe trajektorja gënjen Qirkon, që mposhtet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *