Në Serbi është duke shpërthyer çështja “Ljajiç”. Sulmuesi, në fakt, është në qendër të një polemike të lindur në debutimin e kombëtares së tij në botërorin rus dhe motivi nuk është risi sa i përket kronikave sportive rajonale. Ljajiç (edhe njëherë) nuk ka kënduar himnin e kombëtares. Kishte ndodhur edhe në Euro 2012, në rastin e ndeshjes me Spanjën, ku refuzoi të këndonte.
Që prej asaj kohe, kjo sjellje solli përjashtimin e tij nga kombëtarja serbe, aq sa tifozët nisën sulmin ndaj lojtarit, por Ljajiç do të justifikohej kështu: “Unë e dashuroj Serbinë, kam dashur gjithmonë të vesh fanellën e përfaqësueses së vendit tim që kur isha fëmi. Respektoj të gjithë, por në fillim duhet të respektoj veten”.
Çështja do të mbyllej përkohësisht, deri pardje, kur përpara fillimit të ndeshjes Kosta Rika-Serbi, sërish nuk arriti të këndonte himnin. Një sjellje që nuk kaloi pa u vënë re, sidomos kur flasim për një ndeshje botërori. Futbollisti ndihet nën presion: tifozët dhe shtypi nuk e falin. Dhe, paraqitja e dobët nuk e ndihmoi: tetë goditje këndi dhe të teta të gabuara, numrat flasin qartë. Tani, në Serbi është duke shpërthyer sërish çështja “Ljajiç”, por këtë herë më e fortë e kurrë.