Nga Klaudio Ndreca
E dini se kush është lufta më e keqe? Padyshim ajo brenda llojit, mbetet shkatëruese. Në vitin 2018 u mendua që të ribëhej edhe njëherë një ndeshje vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës që përfundoi në shifrat 0-3.
Por e frikshmja në atë takim ishte se nga disa lojtarë po perceptohej si një derbi, jo si vëllazërore. Shqipëria ka luajtur thuajse me ekipin e dytë për shkak të disa mungesave dhe eksperimenteve të zakonshme të Panuçit.
Diskutimi më i madh asokohe do të bëhej për Zhegrovën, që kërkoi turpërim për kundërshtarin, që në atë rast ishte Shqipëria dhe krejtësisht e pavend, duke bërë “freestyle”. Ndërkohë ky ishte vetëm detaji që do të merrte më shumë vëmendje, pasi çmendurinë e vërtetë e ka bërë Herolind Shala.
Mesfushori që më parë ka luajtur edhe te Shqipëria, por që për shkak të mungesës së hapësirës në rolin e tij shkoi te Kosova, luajti me dorë të thyer për 45 minuta duke dalë kundër të gjithëve te stafi mjekësor. Pra si të ishte duke u luajtur në një derbi të nxehtë të Ballkanit, ndërsa pas kësaj përballje ka shkuar në operacion. Në një intervistë të fundit për “Radio Rilindja Norway”, Shala tregon me buzëqeshje dhe krenari sakrificën e pakuptueshme që bëri për të luajtur kundër Shqipërisë, duke e thënë troç dhe për herë të parë.
“Po ka një histori shumë interesante sepse luajtëm me Shqipërinë në Zyrih në Zvicër. Në minutën e 40 Hysaj e pasoi një top shumë të fortë dhe ndieva një krisje te dora. Mendova se ishte një gjë e vogël dhe shkova në dhomat e zhveshjes pastaj. E panë dy fizioterapistët dhe thanë: “Është e thyer dora, nuk mund të luash dot më, duhet të dalësh”. Po nuk e di, e kisha një vullnet shumë të madh që të luaja kundër Shqipërisë pasi kam luajtur me ta dhe nuk kam pasur minutazh atje dhe doja t’ia tregoja veten.
Kisha dhe një adrenalinë shumë të madhe në trup. Më tha fizioterapisti që t’i shtrëngoja dorën dhe nuk mundesha. Më pas do të shprehej te Shaland që duhej të më nxirrte nga loja. Unë i thoja fizioterapistit: “Provoje dhe njëherë. Provoje dhe njëherë”. Nuk e di kisha shumë adrenalinë në trup dhe ia kam shtrënguar dorën dhe kam dhënë forcë pak, pak ndoshta 2%. Dola në fushë pastaj dhe kam luajtur për 88 minuta me dorë të thyer. Pastaj kam shkuar në spital për të bërë operacion”, u shpreh Shala.
Menjëherë pas asaj ndeshje kundër Shqipërisë të fituar 3-0, Shala do të poston një fotografi feste nga dhomat e zhveshjes: “Na nënçmuat? Në rregull, ne flasim në fushë”. Pas kritikave të mëdha që do të merrte, doli me një përgënjeshtrim për të shuar pak polemikat, por tashmë kuptohet lehtë se për mesfushorin në fjalë kjo cilësohet një derbi dhe nuk mund të jetë kurrë vëllazërore. /Sport Ekspres/
Rrëfimi për sakrificën me dorë të thyer, minuta 29:35-31:00