Silvinjo ka dhënë një rrëfim në “RTSH Sport” sa i përket aventurës së re te Shqipëria. Ndeshja e Kombëtares kundër Polonisë po afron gjithmonë e më tepër. Braziliani garanton se do të kemi risi në listën që do të publikohet në këtë muaj. Nga ana tjetër Silvinjo tregon se ka shkuar për të takuar Brojën dhe Adrian Bajramin, dy lojtarë të talentuar të së ardhmes që po vuajnë nga dëmtime që i lanë jashtë për thuajse 7 muaj. Gjithashtu trajneri i Shqipërisë ka shprehur simpati për një futbollist të Partizanit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.
“Shpirti i Kombëtares është shumë më ndryshe nga ai i klubit, e kam thënë. Kombëtarja është e njerëzve dhe mbi çdo gjë vendoset shpirti dhe zemra, pastaj skemat. Në një klub shkon, luan dhe paguhesh. Në Kombëtare luan për njerëzit, fanellën dhe familjen. Lidhja shpirtërore duhet të jetë e shenjtë për Kombëtaren, prandaj po jetoj këtu. Do të ketë risi, emra të rinj për ndeshjet e marsit.
Kam parë ndeshje edhe këtu në Shqipëri. Është një lojtar te Partizani që më pëlqen shumë, mund të përmirësohet ende. Ishte edhe Skuka që tani jeton jashtë. E falënderova Dukën për besimin që më dha. Kam evidentuar 2-3 lojtarë këtu që mund të bëhen lojtarë të rëndësishëm. Ne kemi një ekip me lojtarë që janë pjesë e niveleve të larta. Ndoshta mund të arrijmë në Europian.
Kur e kam nisur këtë aventurë, kam shkuar direkt të udhëtoj për të takuar personalisht disa lojtarë që janë pjesë e rëndësishme e jona dhe që tani janë të dëmtuar. Unë e di se çfarë do të thotë të rrish 2-3 muaj jashtë fushës, të tjerë i kam kontaktuar në telefon. Broja? Është një nga lojtarët që unë kam shkuar për ta takuar personalisht në Londër. Kam qenë në Portugali gjithashtu për të takuar një lojtar tjetër. I kemi dhënë forcë, për t’i treguar se kanë gjithë mbështetjen tonë në këto momente”, tha Silvinjo. /Sport Ekspres/