“Duhet të mësohemi si ekip që të menaxhojmë rezultatin. Bakaj të zgjidh ndeshjen edhe nëse është lojtari më i dobët në fushë. Guri na ndihmon shumë, mund të luajë dhe jashtë vendit”
Jurgen Zela
Një gol dhe një asist në ndeshjen e fundit për Donjet Shkodrën dhe tani duket se ka rilindur. Mesfushori i transferuar në ditët e para të janarit te kampionët dhe po gjen formën e tij më të mirë. Pas takimit me Teutën, 28-vjeçari foli për “Sport Ekspres”, teksa flet për ndeshjen me durrsakët, por dhe ecurinë e skuadrës e objektivat. Nuk mund të mungonte dhe një koment për Elis Bakajn, të cilin e ka pasur pikërisht ai në pozicionin pas sulmuesit, por për të cilin rezervon fjalët më të mira dhe e pranon se do i mungojë skuadrës.
– Donjet, ishit autori i një supergoli, përmbysje e vështirë, por në fund merrni tre pikët…
– Mendoj se ishte një ndeshje e mirë, siç kemi zhvilluar shumë të tilla. Kemi pasur vështirësi që ta menaxhojmë rezultatin. Bëjmë disa gabime që duhen evituar. Nuk ia faturoj mbrojtjes, pasi pësuam në goditje standarde dhe faji është i gjithë skuadrës. Bëjmë gabime adoleshente dhe pësojmë gola kot. Nëse në shtëpi shënon 3 gola, nuk duhet që t’ia bësh vetes të vështirë. Gjithsesi, mendoj se kemi bërë ndeshje të mirë dhe fitorja ishte e merituar.
– Pse skuadra ishte mjaft e tensionuar në takimin me Teutën, kontestohej çdo vendim i gjyqtarit?
– Nuk më pëlqen që të flas për gjyqtarin por në pjesën e parë gaboi në disa momente faulli. Po t’i shohësh disa lojtarë tanë kanë pësuar dëmtime të vogla. Ishin faulla që duhet të jepen. Në pjesën e dytë besoj se bëri më mirë.
– E ka gjetur Shkodra formën e tij më të mirë?
– Ka qenë një periudhë prej 6 muajsh ku nuk kam pasur shumë minuta. Ndikon kjo si fizikisht ashtu dhe psikologjikisht. Pozicioni që kam luajtur më parë dhe tani ndryshon, me mënyrën e lojës time. Besoj se gradualisht do të jem në formën time më të mirë. Në këtë ndeshje jam ndjerë më i lirë dhe besoj se nga ndeshja në ndeshje do të rritem akoma dhe më shumë.
– Do të bëjnë Shkodra dhe Guri të mos ndihet mungesa e Bakajt?
– Bakaj është një lojtar që i vlen çdo skuadre. Edhe sikur të jetë lojtari më i dobët në një takim, ai arrin të shënojë dhe lojtarë të tillë i do çdo skuadër. Është një lojtar që ka ikur dhe do na mungojë. Guri është një lojtar me shumë kualitet që bën mirë si në sulm, por ndihmon dhe në mesfushë. Nëse përdoret mirë, Guri është një lojtar që mund të luajë dhe jashtë vendit dhe nëse ai vazhdon kështu që do e ketë këtë mundësi.
– Ndodheni në vendin e dytë, 6 pikë para Flamurtarit, besoni se do e ruani deri në fund këtë pozicion?
– Duhet të mësohemi si ekip që të menaxhojmë rezultatin, por dhe pozitën në klasifikim. Duhet ta menaxhojmë këtë diferencë prej 6 pikësh dhe kam besim se mund ta arrijmë.
– I kishin munguar golat e tillë Shkodrës?
– Në këtë pikë një lojtarët duhet të jetë i qetë, pasi ndonjëherë nuk vijnë me forcë, por vijnë me qetësi në kokë.
– Një dedikim për golin?
– Për familjen time.