Goli i 17-vjeçarit Enis Fazllagiç ka mjaftuar për tre pikë përballë Sileksit dhe fitoren e 20-të sezonale për Shkëndijën e Tetovës. Kuqezinjtë shkojnë në pushim dyjavor me 16-të pikë epërsi para vendit të dytë dhe tashmë kampionati duket i përfunduar, sepse epërsia e tetovarëve këtë sezon ka qenë mbresëlënëse.
Kuqezinjtë zhvilluan ndeshje të matur, duke vënë kësaj radhe në plan të parë rezultatin para lojës. Epërsia e hershme me golin e bukur dhe debutues të Fazllagiçit mundësoi që ekipi të menaxhojë lojën dhe rezultatin pa rrezikuar shumë.
Me mungesa të rëndësishme (Hasani dhe Zejnullai të lënduar, Alimi dhe Cuculi të pezulluar me nga 5 kartona të verdhë), trajneri Osmani ishte i detyruar të bëjë ndryshime në formacion me Uakilin titullar dhe të rinjtë Totre e Fazllagiç për herë të parë bashkë në qendër të mesfushës, ndërsa në vend të vendosjes 3-4-1-2 ndeshjen e sotme e nisi me 4-2-3-1.
Fitore 1-0, administrim perfekt dhe Shkëndija tashmë nuk ndalet më, Vardari është i dyti, por tepër larg për ta kërcënuar.