Jasir Asani mund të ndahet përfundimisht me Partizanin në fund të këtij sezoni. Pandemia Covid-19 i hapi jo pak probleme futbollistit shqiptar, teksa për shkak të krizës financiare klubi i AIK-ut vendosi të mos ushtronte të drejtën për blerjen e kartonit të futbollistit. Mirëpo në Suedi duket se nuk kanë hequr dorë ende nga mesfushori me tipare sulmuese.
Asani po shkëlqen këtë sezon me Partizanin, ku është një nga pikat kyçe të Ilir Dajës në skuadër. Kjo nuk ka kaluar pa u vënë re nga AIK-u, që sipas asaj që raporton “Insporti”, ka nisur kontaktet me të kuqtë dhe vetë lojtarin. Por këtë herë nuk do të kemi të bëjmë me një formulë huazimi, pasi drejtuesit e skuadrës së njohur suedeze duan të marrin në zotërim kartonin e Jasir Asanit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/