Shkarkohet Starova, mungon vetëm zyrtarizimi

Sulejman Starova nuk do të jetë më trajner i Partizanit, ky është lajmi i fundit që vjen nga kampi i kuq.

“Sport Ekspres” zbulon se mbrëmjen e djeshme presidenti Gaz Demi, i irrituar pas barazimit në Durrës, i ka komunikuar trajnerit largimin nga posti që ka mbajtur prej nëntorit të shkuar, kur u largua nga drejtimi Mark Juliano.

Vetëm një fitore në 5 ndeshjet e fundit dhe një skuadër që nuk po arrin ende të imponohet në fushë kanë bërë që te Partizani ta humbasin durimin, sepse mendohej që të paktën të luftohej për vendin e dytë, përtej deklaratave të fasadës në janar se gara për titull nuk kishte marrë fund.

Tashmë Skënderbeu është kampion, por Partizani po humbet terren çdo javë në garën për vendin e dytë dhe nëse fiton sot Flamurtari, edhe vendi i tretë largohet jashtëzakonisht.

Asnjë njoftim nga Partizani për momentin, por duket se ka marrë fund dhe Demi nuk bën asnjë hap pas, ndërsa pritet të gradohet si trajner deri në fund të sezonit Klevis Dalipi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *