Myrto Uzuni ka nisur një sezon fantastik te Granada. Sulmuesi shqiptar po mban vendin e parë së bashku me De Haro në renditjen e golashënuesve, duke pasur 6 realizime. Goli i fundit i këtij futbollisti ishte pikërisht ajo kryevepër kundër Izraelit.
Gjithashtu Uzuni dha kontributin e tij me Islandën, teksa ndëshkoi me karton të kuq kundërshtarin dhe njëkohësisht dhuroi asistin fantastik për Lenjanin. Menjëherë pas këtyre takimeve mbërritën dy ndeshje te Granada, atje ku sulmuesi shqiptar nuk ka mundur të shënojë.
Kritikat kanë ardhur në mënyrë të menjëhershme në Spanjë, pasi janë mësuar duke e parë Uzunin që të shënojë. “Myrto Uzuni është fikur nga koha e Shqipërisë”, shkruan gazetari i “Ideal”, Rafael Lamelas, pas ndeshjes së fundit të Granadas, ku sulmuesi shqiptar hyri nga stoli për 30 minutat e fundit të takimit. /Sport Ekspres/