Partizani dhe Egnatia e kanë mbyllur ndeshjen në një barazim 1-1. Një ndeshje emocionuese, ku Skuka gjen golin e parë në Superiore pas rikthimit. Goli i parë i këtij takimi do të realizohej në minutën e 59, atje ku Spahiu realizoi një kryevepër nga 30 metra.
Goli i barazimit për Partizanin do të vinte në fund nga Skuka, i cili zgjati këmbën dhe kaloi dy mbrojtësit e Egnatias, për ta dërguar topin në rrjetë. Nga krahu tjetër Teuta ka fituar pastër kundër Skënderbeut, 3-0. Pas asaj fitore emocionuese ndaj Tiranës, korçarët dorëzohen pa kushte ndaj durrsakëve me dopietën e Dacit dhe golin e Peposhit. Pas përfundimit të ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë intervistat për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Plaku (Partizani): “Trajneri kishte një ngarkesë pas ndeshjes. Dëshironte të ndalonte pak dhe më dërgoi mua për shpejtësi. Pjesa e parë ishte më afër realitetit, asaj që ne kishim përgatitur. Në pjesën e dytë lojtarët u mposhtën nga emocionet. Nuk po e përballonin dot faktin që ishin në disavantazh. Kjo i nxorri nga detyra. Ishin shumë të ngarkuar. Pamë që po bënin disa lëvizje që nuk i kishim parë dhe nuk i kishim provuar ndonjëherë. Pjesa e Magetit na ndryshoi të gjithë manovrën. U desh të ndryshonim sistemin dhe lojtarin. Shpërdorimi është diçka që po e vuajmë, pasi lojtarët duhet të lëvizin pak më shpejtë”.
Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Sot Teuta ishte skuadra më e mirë. E uroj për fitoren. Me top të gjatë nuk mund të fitojmë asgjë kur kemi Frenklin si sulmues të parë. Vjen një gol nga një goditje standarte. Goli i dytë, ndoshta, për mendimin tim, nuk ishte penallti. Pastaj e kishim të vështirë. Ndoshta psikologjikisht nuk ishim gati sot për këtë ndeshje. Ky ishte gabimi im si trajner. Pas një fitoreje të bukur si kundër Tiranës, humbën sot”.
Tetova (Egnatia): “Ishte ndeshje e mirë, por kishte kurba. Kishim 20 minutësh të parë shumë të mirë, pastaj kishim epërsi të Partizanit. Jo me raste, por me topa të humbur nga ne. Por në pjesën e dytë çdo gjë foli për ne. Nuk është problem se jam i mërzitur. Thjesht janë çështje detyrash. Të luash pjesën e dytë në atë mënyrë, kur Partizani nuk kishte asnjë rast, dhe të pësosh… Ishte gabim personal. Një gol në fund të dhemb. Janë episode që ndodhin, duhet t’i pranojmë. Megjithatë, ta shijojmë momentin, jemi 10 pikë përpara. Nuk doja që ndeshja të dilte barazim. U bë ndeshja e katërt me Partizanin që jemi barazim. Nuk doja të bëja zëvendësime për vonesa. Të djeg goli në fund, nuk është çështje demoralizimi”.
Martini (Teuta): “Pjesa e parë ishte e mirë, shënuam tre gola. Në dhomën e zhveshjes i kërkova lojtarëve të kontrollonin lojën. Edhe në Kupë shënuam, por Skënderbeu na rrezikoi. Më tepër jam i kënaqur që nuk pësuar gol në pjesën e dytë. Sepse ne kemi pasur problem me golat e pësuar. Sot ishte fitore e rëndësishme, pasi na jep moral. Sot ishte meritë, nuk ishte fat. Pjesa e parë na dha qetësi në pjesën e dytë dhe personalitet. Kishim nevojë për këto pikë. Megjithëse e kam thënë dhe vazhdoj ta them që ndeshjet ku kemi humbur, kemi luajtur shumë herë më mirë se sa në këto ndeshje që kemi fituar”/Halit Delibashi-Sport Ekspres/