Tifozët shqiptarë kishin Maqedoninë e Veriut si përfaqësuesin më të mirë të tyre në këtë Europian. Këtu nuk po flasim vetëm për përfshirjen e futbollistëve me origjinë shqiptare, por edhe për kryesinë. Maqedonia e Veriut arriti kulmin e saj historik në momentin që Federata e Futbollit në këtë vend drejtohet nga ana e Sejdinit. Gjithashtu edhe stafi i afërt që punon me Sejdinin është i përbërë nga shqiptarët, ndërsa zëdhënësi i Federatës është Faton Zylbehari, një emër shumë i njohur në vendin tonë.
Ky sukses i Maqedonisë së Veriut me shqiptarët në krye ka sjellë xhelozi të madhe nga maqedonasit, teksa Goran Pandev ka bërë gjithçka mundej në media për të ulur punën e Sejdinit. Madje nuk do të ngurronte për të thënë se nuk ka asnjë lidhje me futbollin dhe se ishte i mërzitur kur Maqedonia e Veriut kaloi më tej në Ligën e Kombeve pasi mundi Kosovën. Ndërkohë me të njëjtën jehonë kanë qarkulluar fjalët e Dritan Shakohoxhës se mbështet Goran Pandev në këtë rast pasi për të një lojtar vlen sa presidenti i Federatës. Mbi këtë temë ka pasur edhe një diskutim në emisionin “Euro Dueli” ku zëdhënësi Faton Zylbehari ka treguar befasinë e marrë në momentin që dëgjoi fjalët e Shakohoxhës.
“Ne në Federatë kemi një aparat le të themi që fikson gjithçka thuhet nëpër media dhe studio. E nëse nuk e kërkojmë, na vjen. Kemi njohur për fjalët e Shakohoxhës. Është miku im, i presidentit të Federatës Maqedonase të Futbollit, i shqiptarëve dhe i Kosovës, më shumë është i juaji. Në ndeshjen e Shkupit erdhi si tifoz i Kosovës dhe jo i Maqedonisë. E kam dëgjuar, jam befasuar, nuk e di. Ndoshta e ka një arsye. Mund të them se gjithmonë na ka lavdëruar punën. Më shkruan mua, i shkruan presidentit. Më ka befasuar me ato që ka thënë. Ndoshta është si ajo puna me lojtarët që ka pasur një moment të keq. Nuk e gjykoj dhe pres një komunikim direkt prej tij. Jemi aq të afërt sa nuk mund të them gjëra më tepër në media, që të flasim nga këtu. Gabojmë ne, njerëz jemi, qenie njerëzore. Dua të them se mesazhet që më dërgon mua dhe presidentit janë shumë ndryshe me ato fjalët që ka thënë”, u shpreh Zylbehari. /Sport Ekspres/