Sulmuesi ugandez ngjitet në krye të golashënuesve të Kategorisë së Parë, pasi nuk ka asnjë gol me penallti.
Olsi Avdiaj
Tre gola, po në kaq ndeshje të 2018-ës dhe Junus Sentamu më në fund kthehet në krye të golashënuesve të Kategorisë së Parë. Tre takimet e fundit, lojtari ugandez ka shënuar rregullisht dhe më në fund ai arrin të kapë në Çekiçin në krye të golashënuesve, por me ndryshimin e vetëm, që lojtari i Tiranës nuk ka shënuar asnjë gol me penallti gjatë gjithë sezonit. Në lojë ishte edhe Krasniqi i Apolonisë, por me largimin e tij te Skënderbeu, gara për golat është mes një lojtari të bardhebluve dhe atij të Pogradecit. Në fakt, Sentamu është edhe shënuesi më i mirë i bardhebluve. Në 14 ndeshje ka shënuar 11 herë, me një mesatare 0.79 gola për ndeshje. Futbollisti bardheblu është nga të vetmët, që ka shënuar rregullisht dhe nëse do të kishte qenë më i qetë para portës, me të gjitha gjasat do të kishte shënuar në të gjitha ndeshjet e Kategorisë së Parë, apo edhe në takime të caktuara ku e ka mbyllur me nga një gol.
Ugandezi ka shënuar një trigolësh, dy dygolësha dhe më pas ka shënuar nga një herë. Futbollisti i kombëtares së Ugandës është lojtari më rezultativ në sulm, pas tij vjen Majkëll Ngo. Anglezi ka shënuar nëntë gola, por tre prej të cilave me penallti. Së bashku, dyshja e huaj ka shënuar 20 gola dhe me Karabecin e Grecën, të katërt kanë shënuar më shumë se gjithë pjesa tjetër e skuadrës, plot 29 gola, ndërsa ndjekin Qilimi, Daja e Halili, të cilët e kanë shënuar nga një dygolësh. Shtatë golat e tjerë janë shënuar nga pjesa tjetër e skuadrës. Gjithsesi, Sentamu ka rendimentin më të mirë në fushë, sepse ai është aktivizuar në 14 ndeshje, nga 16 të mundshmet të luajtura deri tani dhe ka shënuar gol çdo 100 minuta. Po kështu, paraqitja e mirë që po bën në Shqipëri ka zgjuar menaxherët për lojtarin, që më parë ka luajtur në Europë me fanellën bardheblu.
“Sportback Group”, që menaxhon lojtarin shpreson që t’i gjejë një sistemim sa më të mirë në fund të sezonit, gjithmonë nëse nuk do të qëndrojë te Tirana. Oferta ka nga Azerbajxhani, por edhe Belgjika për lojtarin, të cilit i është rritur jo pak vlera e kartonit këtë sezon. Kujtojmë që Sentamu ishte lojtari i parë i marrë nga Tirana, pas rënies nga Kategoria Superiore, që luajti edhe në Europë dhe po paraqitet më mirë se të huajt e tjerë në kampionat.
Karabeci e Ngo – Kapiteni dhe sulmuesi anglez janë dy lojtarët të cilët në Kategorinë e Parë janë aktivizuar të gjitha ndeshjet. Jo të gjitha si titullarë, por kanë luajtur në çdo ndeshje. Për më tepër, që Erando Karabeci është edhe futbollisti, i cili ka luajtur më shumë minuta me 1351 të tilla pa llogaritur Kupën. I dyti në renditje për aktivizim është Ilion Lika me 1201 minuta.