Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF vazhdon punën intensive me seleksionimin e lojtarëve të rinj të talentuar që aktivizohen në kampionatin shqiptar, por edhe jashtë kufijve. Në javët e para të vitit janë zhvilluar disa seleksionime me lojtarë që militojnë në ekipet Kombëtare të moshave U-15, U-16 dhe U-17. Ndërkohë në javët në vazhdim ky proces do të vazhdojë me të gjitha ekipet e tjera të moshave për evidentimin e talenteve, duke u dhënë mundësi të gjithë të rinjve kudo që janë që të tregojnë vlerat e tyre.
Drejtori Teknik i FSHF-së, Giancarlo Camolese duke folur për Fshf.org shpjegon të gjithë procesin që po zhvillohet në ekipet kombëtare të moshave, duke shpalosur edhe objektivat e FSHF-së, që është zbulimi i sa më shumë elementë të talentuar.
“Po vazhdojmë procesin e seleksionimit të lojtarëve të talentuar të vitlindjes 2007-2008 pasi kemi zhvilluar Turneun e Ekipeve Përfaqësuese Rajonale, që më duhet të them se ishte shumë interesant. Duhet të përpiqemi t’u jap mundësinë të provohen sa më shumë djem e që të tregojnë vlerat e tyre, por në çdo rast do të vazhdojmë t’i vëzhgojmë gjithmonë sepse objektivi është që të ndjekim zhvillimin e tyre, në klubet ku luajnë, dhe të mund të bëjmë ekipe kombëtare kompetitive”, – thotë Camolese, duke theksuar edhe problematikat që i ka vënë përpara pandemia në organizimin e ndeshjeve miësore ndërkombëtare.
“Ne kemi zhvilluar disa seleksionime me grup-moshat U-15, U-16 dhe U-17 gjatë janarit dhe mendoj se kanë qenë mjaft të vlefshme për të parë lojtarët që kemi në dispozicion. Në të gjitha këto seleksionime që kemi bërë kanë qenë të pranishëm të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave dhe jemi të gjithë të angazhuar për evidentimin e lojtarëve të talentuar, që mund ta në vejnë në të ardhmen. Sigurisht nëse do të na lejojë pandemia Covid-19 ne do të përpiqemi të organizojmë edhe ndeshje miqësore me kombëtare të tjera, pasi shumë vende mesa masave të kufizimeve kanë edhe vaksinimin e detyrueshëm. Objektivi ynë është që t’u japim shansit këtyre djemve të masin forcat me moshatarët e tyre në kuadër të përgatitjeve për kompeticionet zyrtare të UEFA-s për moshat U-17 dhe U-19”, – deklaron Giancarlo Camolese në prononcimin e tij.