Vllaznia është kthyer pas shumë kohësh që të kryesojë kampionatin shqiptar. Një renditje e re për shkodranët që gëzon edhe pjesën më të madhe të tifozëve në Shqipëri teksa shohin kthimin e një embleme. Sigurisht që bëhet fjalë vetëm për dy ndeshjet e para, por e bashkuar edhe me ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur pas sezonit të kaluar, optimizmi është rritur në këtë krah.
I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” ishte edhe drejtori i Vllaznisë, Matko Djarmati. Ky i fundit ka treguar edhe sekretin e rezultateve të arritura që lidhen me oraret e zgjatura të punës dhe vëzhgimin me detaje të përgatitjes së këtij sezonit të ri.
“Ka tre muaj që punojmë nga mëngjesi deri në darkë, nga 16 orë në ditë. Për ne personalisht brenda skuadrës nuk ishin surprizë këto dy fitore të para. Për më tepër kemi luajtur edhe me kundërshtar që janë poshtë nivelit tonë, me merkaton dhe cilësinë e lojtarëve. Nuk kemi ndryshuar ekipin 100%, por 50%.
Kemi 5 lojtarë të formacionit nga vjet, unë dhe trajneri kemi parë ndeshjet e sezonit të kaluar duke përzgjedhur lojtarët që dëshironim dhe të afronim të tjerët. Për momentin nuk kemi kushtet e duhura të stërvitjes, duhet të jenë pak më të mira. Në aspektet e tjera Bashkia dhe Sponsori i ri na ka plotësuar të gjitha kërkesat. Alban Xhaferi është një person që është një nga tifozët më të zjarrtë të Vllaznisë. Sigurisht që investon lekët e tij dhe kërkon llogari, por edhe pa Bashkinë nuk mundemi. Duhet të funksionojmë si një skuadër”, u shpreh Djarmati. /Sport Ekspres/