“Do të ishte diçka e mirë “Këpuca Artë”. Janë dhe dy ndeshje, por nuk ka mbaruar asgjë. Do të përpiqem të shënoj sa më shumë dhe pastaj do të bëj llogaritë”, kështu e ka nisur deklaratën e tij në “Supersport” sulmuesi Ali Soue i Skënderbeut, autor i 20 golave në kampionat. Aktualisht ka një gol më shumë se Sindrit Guri dhe do tentojë të shënojë edhe në Gjirokastër. Por cili është sekreti i formës së sulmuesi, që është në pronësi të Kievos. “I jap merita vetes, stafit që më ndihmoi të punoj. Ndihem mirë fizikisht dhe kjo është më e rëndësishmja që më bëri mirë për të qenë deri në fund në gjendje optimale. Kur erdha këtu, e kam ëndërruar një ecuri të tillë, sepse erdha për të fituar gjithçka. Jam i kënaqur. Kemi përpara Kupën e Shqipërisë, por dhe ‘Këpucën e Artë’. Gjatë kësaj periudhe më ka ndryshuar personaliteti si lojtar. Shoh që kam ndryshuar shumë duke punuar, duke u përpjekur të fitoj gjithçka”, shprehet sulmuesi 23-vjeçar. E ardhmja është ajo që u intereson korçarëve, më së shumti tifozëve dhe stafit teknik. Klubi e di kushtin për ta bërë tyrin sulmuesin: të paguajnë klauzolën në kontratë. Soue tregon se si është pritur në Korçë, bën një koment për Osmanin dhe flet për të ardhmen. “Më kanë pritur mirë këtu. Te Skënderbeu ka djem të shkëlqyer. Osmani është i çmendur, por është një djalë i mirë. Ka zhurma për të ardhmen time. Te Kievo më kanë thënë që nuk do të flasin me asnjë deri në fund të sezonit”, përfundoi sulmuesi.